“Reuters” publikon me burime emrin e favoritit për ta zëvendësuar Bidenin, nëse ai tërhiqet
Agjencia e lajmeve “Reuters”, duke u mbështetur në shtatë burime të larta brenda fushatës së presidentit amerikan, Joe Biden, raportoi të mërkurën se nënpresidentja Kamala Harris është alternativa kryesore për ta zëvendësuar kreun e Shtëpisë së Bardhë, në rast se ai vendos që të mos e vazhdojë fushatën për zgjedhjet e 5 nëntorit.
Performanca e dobët e presidentit gjatë debatit të parë presidencial kundër republikanit Donald Trump javën e kaluar nxiti një valë paniku brenda Partisë Demokratike për shkak të shqetësimeve nëse Bideni ishte mjaftueshëm i aftë për të shërbyer në një mandat të ri dhe nxiti thirrje që ndihmësit e tij të lartë të jepnin dorëheqje.
Disa demokratë me ndikim kanë përmendur alternativa për Bidenin përmos Harrisit, përfshirë anëtarë të popullarizuar të kabinetit dhe guvernatorë demokratë si Gavin Newsom nga Kalifornia, Grechen Whtimer nga Michigani dhe Josh Shapiro nga Pensilvania.
Sidoqoftë, burimet thanë se përpjekja për ta anashkaluar zonjën Harris është mendim dëshire dhe do të ishte pothuajse e pamundshme, thanë këto burime, të cilat nuk dëshiruan të identifikoheshin.
Nëse emërohet e nominuar e Partisë Demokratike, Harris, 59 vjeçe, do ta merrte kontrollin e të hollave të mbledhura nga fushata e Bidenit dhe do ta trashëgonte infrastrukturën e fushatës, thanë burimet. Ajo gjithashtu e ka emrin më të njohur në mesin e të gjitha alternativave dhe përkrahjen më të lartë në anketa mes demokratëve që do të mund të shqyrtohej seriozisht si kandidate, shtuan burimet.
Në një sondazh të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it publikuar të martën, zonja Harris mori vetëm një për qind më pak përkrahje se Trumpi – 42 me 43 për qind – dallim që ishte dukshëm brenda margjinës së gabimit të sondazhit – 3,5 për qind. Kjo përkrahje për nënpresidenten statistikisht është po aq e fortë sa ajo për Bidenin.
Për më tepër, ajo tashmë është dëshmuar për post publik dhe u ka mbijetuar vëzhgimeve intensive nga republikanët, shtuan burimet. Kongresisit Jim Clyburn, personi që ishte kyç prapa fitores së Bidenit më 2020, tha se do ta mbështeste Harrisin për t’u bërë e nominuar e partisë, nëse Bideni tërhiqet.
“Është goxha afër të pamundurës që ta fitosh nominimin para nënpresidentes” – tha Michael Trujillo, strateg demokrat nga Kalifornia, i cili ka punuar për fushatën e zonjës Hillary Clinton më 2008 dhe 2016.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha të martën se Bideni thjesht kishte pasur “një natë të keqe” në debat dhe se ai do ta vazhdonte fushatën për t’u rizgjedhur para popullit amerikan. Zyrtarët e fushatës së Bidenit i drejtuan pyetjet te ekipi i Harrisit për koment rreth këtij raportimi.
Ndihmësit e Harrisit hodhën poshtë çfarëdo diskutimi për një nominim të demokratëve që nuk i përfshin as Bidenin, as Harrisin. “Nënpresidentja Harris pret që të shërbejë në mandatin e dytë me presidentin Joe Biden” – thuhet në një deklaratë të zyrës së saj./Nacionale