“Reuters”: Për paqe në Ukrainë, këto janë kërkesat e Putinit
Kushtet e presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë një kërkesë që udhëheqësit perëndimorë të zotohen për ndërprerjen e zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe heqjen e një pjese të sanksioneve ndaj Rusisë, sipas tri burime ruse me njohuri rreth bisedimeve.
“Putini është i gatshëm që të bëjë paqe, por jo me çdo çmim” – tha një burim i lartë rus me njohuri rreth qëndrimeve të krerëve në Kremlin, i cili foli në kushte anonimiteti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Tri burimet ruse thanë se Putini dëshiron një zotim “me shkrim” nga fuqitë e mëdha perëndimore për të mos e zgjeruar NATO-n në lindje, shprehje me fjalë të tjera për ta përjashtuar formalisht anëtarësimin e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë si dhe ish-republikave të tjera socialiste.
Rusia gjithashtu dëshiron që Ukraina të jetë neutrale, disa sanksione perëndimore ndaj Moskës të hiqen, një zgjidhje për çështjen e aseteve sovrane të ngrira ruse dhe mbrojtje për rusishtfolësit në Ukrainë, thanë tri burimet ruse.
Burimi i parë tha se, nëse Putini kupton që nuk mund të arrijë një marrëveshje të paqes sipas kushteve të tij, ai do të synojë që t’u dëshmojë ukrainasve dhe evropianëve përmes fitoreve ushtarake se “paqja nesër do të jetë edhe më e dhimbshme”.
Kremlini nuk iu përgjigj një kërkese për koment rreth raportimit të agjencisë “Reuters”. Putini dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë vazhdimisht se në çfarëdo marrëveshjeje të paqes duhet të adresohen “shkaqet rrënjësore” të konfliktit – shprehje me fjalë të tjera për zgjerimin e NATO-s dhe mbështetjen perëndimore për Ukrainën.
Pasi bisedoi me homologun amerikan, Donald Trump, për më shumë se dy orë javën e kaluar, Putini tha se ishte pajtuar për të punuar me Ukrainën për një memorandum në të cilin do të caktoheshin parakushtet e një akordi të paqes, përfshirë kohën e një armëpushimi. Rusia thotë se tani për tani është duke e hartuar versionin e vet të memorandumit dhe nuk mund të vlerësojë se sa kohë do të zgjasë.
Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë akuzuar Moskën për zvarritje të procesit të paqes, përderisa trupat ruse po avancojnë në pjesën lindore të Ukrainës.
Kievi ka thënë vazhdimisht se Rusisë nuk duhet t’i jepet fuqia e vetos në lidhje me aspiratat e Ukrainës për hyrje në NATO. Ukraina thotë se ka nevojë që Perëndimi t’i japë një garanci të fortë sigurie për të parandaluar ndonjë sulm të Rusisë në të ardhmen./Nacionale