“Reuters”: Disa rusë të trajnuar fshehurazi nga Kina janë kthyer për të luftuar në Ukrainë - NACIONALE

“Reuters”: Disa rusë të trajnuar fshehurazi nga Kina janë kthyer për të luftuar në Ukrainë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Forcat e armatosura kineze në mënyrë sekrete trajnuan rreth 200 pjesëtarë të personelit ushtarak rus në Kinë në fundin e vitit të kaluar dhe disa prej tyre tashmë janë kthyer për të luftuar në Ukrainë, sipas tri agjencive evropiane të inteligjencës dhe dokumenteve që i ka parë agjencia “Reuters”.

Përderisa Kina e Rusia kanë zhvilluar disa ushtrime të përbashkëta ushtarake që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës më 2022, Pekini disa herë ka deklaruar se mban pozicion neutral sa i përket këtij konflikti dhe e paraqet veten si ndërmjetës për paqe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Seancat e fshehta të trajnimit, të cilat ishin kryesisht të përqendruara te përdorimi i dronëve, ishin përvijuar në një marrëveshje të shkruar në dy gjuhët e të nënshkruar nga oficerë të lartë rus e kinezë në Pekin më 2 korrik të vitit të kaluar.

Marrëveshja e parë nga agjencia “Reuters” thoshte se rreth 200 trupa ruse do të trajnoheshin në objekte ushtarake në disa vende, përfshirë Pekinin dhe qytetin lindor, Nanjing. Burimet thanë se një numër i përafërt i trupave u trajnuan në Kinë.

Në marrëveshje gjithashtu thuhet se qindra trupa kineze do t’i nënshtroheshin trajnimit në objekte ushtarake në Rusi.

Përmes trajnimit të personelit ushtarak rus në nivel operues dhe taktik e pastaj kur ky personel merr pjesë në luftën në Ukrainë, Kina është shumë më shumë e përfshirë drejtpërdrejt në luftë se që dihej më parë, tha një zyrtar i inteligjencës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe Ministria e Mbrojtjes e Kinës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment rreth hollësive të paraqitura në këtë artikull.

“Sa i përket krizës së Ukrainës, Kina vazhdimisht ka mbajtur pozicion objektiv dhe të paanshëm dhe ka punuar për t’i promovuar bisedimet e paqes, kjo është e vazhdueshme dhe e qartë dhe për të është dëshmitar komuniteti ndërkombëtar” – tha Ministria e Jashtme e Kinës në një deklaratë për agjencinë “Reuters”.

Lajme të ngjashme