“Reuters”: Disa agjenci të ShBA-së i kanë pezulluar përpjekjet kundër sabotazhit nga Rusia
Disa agjenci amerikane të sigurisë kombëtare e kanë ndërprerë punën në një përpjekje të bashkërenduar për t’iu kundërvënë sabotazhit, dezinformatave dhe sulmeve kibernetike nga Rusia, duke ia lehtësuar presionin Moskës, përderisa administrata e presidentit Donald Trump po e shtyn Rusinë që t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Ish-presidenti Joe Biden vitin e kaluar e kishte urdhëruar ekipin e tij të sigurisë kombëtare që të themelonte grupe punuese për ta vëzhguar këtë çështje, në kohën e paralajmërimeve nga inteligjenca amerikane se Rusia po përshkallëzonte një luftë nën hije kundër vendeve perëndimore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Plani udhëhiqej nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i presidentit dhe përfshinte të paktën shtatë agjenci të sigurisë kombëtare që punonin me aleatë evropianë për t’i penguar komplotet në shënjestër të të cilave ishin Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, i thanë agjencisë “Reuters” shtatë ish-zyrtarë që kanë marrë pjesë në këto grupe punuese.
Para se Trumpi të inaugurohej si president, administrata në ardhje e tij ishte njoftuar nga zyrtarë të Bidenit për përpjekjet kundër sabotazhit rus dhe i ishte bërë thirrje që ta vazhdonte vëzhgimin e luftës hibride të Rusisë, thanë më tej ish-zyrtarët amerikanë.
Megjithatë, nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, një pjesë e madhe e punës është ndërprerë, sipas 11 zyrtarëve e ish-zyrtarëve, të cilët kërkuan anonimitet për të diskutuar rreth çështjeve të klasifikuara.
Takime të rregullta mes Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së dhe zyrtarëve evropianë të sigurisë kombëtare kanë kaluar pa u planifikuar dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare gjithashtu e ka ndërprerë formalisht bashkërendimin e përpjekjeve me agjenci amerikane, përfshirë ato me FBI-në, Departamentin e Sigurisë së Atdheut dhe Departamentin e Shtetit, thanë disa zyrtarë të tanishëm e ish-zyrtarë.
Agjencia “Reuters” nuk mundi të përcaktonte nëse presidenti Trump e ka urdhëruar administratën e tij që ta ndërpresë tërë punën në lidhje me vëzhgimin dhe luftimin e fushatës ruse, nëse agjencitë ishin ende duke punuar për të punësuar staf shtesë, apo nëse ato janë duke marrë vendime të veta të politikave në mënyrë të pavarur nga Shtëpia e Bardhë.
Disa zyrtarë të përfshirë në grupe punuese thanë se janë të shqetësuar që administrata e Trumpit po e largon nga prioritetet këtë çështje pavarësisht nga paralajmërimet e inteligjencës. Ky ndryshim vjen pas dobësimit të disa projekteve të tjera të përqendruara te Rusia e të nisura nga administrata e Bidenit./Nacionale