“Reuters”: Arabia Saudite ka kryer shumë sulme të fshehta kundër Iranit si hakmarrje - NACIONALE

“Reuters”: Arabia Saudite ka kryer shumë sulme të fshehta kundër Iranit si hakmarrje

1 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Arabia Saudite kreu shumë sulme të papublikuara kundër Iranit si hakmarrje për sulmet e kryera ndaj saj gjatë luftës në Lindjen e Mesme, thanë dy zyrtarë perëndimorë me njohuri rreth çështjes dhe dy zyrtarë iranianë.

Sulmet saudite, për të cilat nuk është raportuar më parë, e shënojnë herën e parë që ky shtet kryen veprime të drejtpërdrejta ushtarake ndaj territorit të Iranit dhe tregojnë se vendi po bëhet shumë më i patrembur në mbrojtjen e vetes nga rivali kryesor rajonal, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Vlerësohet se sulmet u kryen nga Forca Ajrore Saudite në fund të marsit, sipas dy zyrtarëve perëndimorë. Njëri nga ta tha se ato ishin “sulme hakmarrëse për kohën kur Arabia Saudite u godit”.

Agjencia “Reuters” nuk arriti që t’i konfirmonte caqet specifike të sulmeve.

Si përgjigje ndaj një kërkese për koment, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite nuk foli drejtpërdrejt në lidhje me atë nëse këto sulme janë kryer apo jo.

Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Arabia Saudite, e cila ka marrëdhënie të thellë ushtarake me Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht është mbështetur tek ushtria amerikane për mbrojtje, por lufta 10-javore e ka lënë mbretërinë të rrezikuar nga sulmet që e kanë tejkaluar ombrellën mbrojtëse të ndërtuar nga ushtria amerikane.

Të hënën, gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, raportoi se edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kryer sulme ushtarake kundër Iranit.

Megjithatë, qasja e dy vendeve nuk ka qenë identike. Emiratet e Bashkuara kanë marrë qëndrim më të ashpër, duke synuar që t’i shkaktojnë kosto Iranit dhe duke u përfshirë rrallë në diplomaci publike me Teheranin.

Ndërkohë, Arabia Saudite është përpjekur që ta parandalojë përshkallëzimin e konfliktit dhe ka qëndruar në kontakt të rregullt me Iranin, përfshirë kontaktet përmes ambasadorit iranian në Riad. Ai nuk iu përgjigj një kërkese për koment./Nacionale

Lajme të ngjashme