Reputacioni i BE-së në rrezik pasi Hungaria vazhdon të bllokojë sanksionet ndaj Rusisë
BE nuk ka gjetur konsensus mbi paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, kurse marrëveshja eventuale mund të jetë ende “një ose dy javë” larg, ka thënë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, pasi Hungaria tha se nuk do të heqë veton e saj.
“Për fat të keq, nuk ka qenë e mundur të arrihet një marrëveshje sot,” u tha Borrell gazetarëve pas një takimi të ministrave të jashtëm të bllokut në Bruksel.
Pala e BE-së i ka ofruar Hungarisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë periudha të gjata grace për të hequr gradualisht importet e naftës ruse, por kjo ende nuk e ka bindur Budapestin të heqë kundërshtimin e saj.
Filozofia e sanksioneve të BE-së është se ato duhet të godasin vendin e tretë, në këtë rast Rusinë, në vend që të shkaktojnë dëm për shtetet anëtare. Por sanksionet në fushën e energjisë në mënyrë të pashmangshme shkaktojnë dëme për vendet e BE-së, duke u goditur kështu disa vende më shumë se disa të tjera.
Importet ruse të energjisë nga BE-ja ishin me vlerë 99 miliardë euro në vitin 2021, ndërsa nafta ruse përbën rreth 27% të importeve të naftës në BE.
Teknikisht, importet e naftës nga Rusia janë më të lehta për t'u zëvendësuar sesa importet e gazit, megjithatë rritja e çmimeve të naftës tashmë po shton inflacionin në të gjithë BE-në.
"Shpresoj se nuk do të zgjasë më shumë, por nuk mund t'ju them nëse do të zgjasë një ose dy javë," tha Borrell, duke shtuar se fillimisht kishte synuar që ministrat të diskutonin paketën e sanksioneve të hënën.
Borrell shpjegoi se pengesa kryesore për një marrëveshje ishte e natyrës ekonomike: "Hungaria nuk e ka shpjeguar pozicionin e saj në aspektin politik, por në aspektin ekonomik," tha ai.
Vendet anëtare të BE-së janë gjithnjë e më të dëshpëruar për të shmangur shfaqjen e përçarjes përballë sulmit të Kremlinit në Ukrainë dhe zyrtarët po përpiqen në prapaskenë që të arrijnë një kompromis me Hungarinë pasi bënë propozimin fillestar gati dy javë më parë, më 4 maj.
Zyrtarët e BE-së kanë bërë një sërë lëshimesh për vendet anëtare që atëherë, duke përfshirë heqjen e një plani për të ndaluar anijet e BE-së të transportojnë naftë ruse, pas kundërshtimit nga Greqia dhe Qipro mbi ndikimin e mundshëm ekonomik në industritë e tyre.
Disa shtete anëtare kanë hedhur gjithashtu idenë e shqyrtimit të shtyrjes së ndalimit të naftës për të vazhduar me pjesën tjetër të paketës së sanksioneve, por kjo është kundërshtuar deri më tani pasi besohet se masave do t'u mungonte fuqia pa komponentin e energjisë.
Ambasadorët e BE-së do të takohen për takimin e tyre të rregullt të mërkurën, ku pritet një diskutim më i detajuar mbi paketën.
Megjithatë, diplomatët e BE-së dhe disa ministra të jashtëm të hënën kanë thënë se më tepër e konsiderojnë mundësinë që diskutimi mund të zvarritet deri në një samit jozyrtar të BE-së të planifikuar për në fund të majit.
Hungaria gjithashtu kishte lënë të kuptohet më parë se përpjekjet për ndalimin e naftës do të duhej të diskutoheshin mes liderëve të BE-së dhe jo në një nivel më të ulët politik.
"Rreziku këtu është se ne do të kemi 'diskutim për gjithçka' midis liderëve të BE-së, nga sanksionet tek energjia, zgjerimi dhe ndryshimi i traktatit, i cili mund të shpërthejë në varësi të asaj se sa të mërzitur janë shtetet anëtare në atë moment në kohë," ka thënë një diplomat i BE-së.
Borrell tha se ministrat e jashtëm kishin vendosur, megjithatë, janë siguruar 500 milionë euro shtesë për blerjet e armëve në mbështetje të Kievit, duke e çuar shumën totale të parave që BE-ja ka caktuar për këtë qëllim në 2 miliardë euro.
"Reputacioni në rrezik"
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba i kërkoi BE-së të hënën që të kapërcejë rezistencën e Hungarisë ndaj embargos ndaj naftës ruse dhe të shikojë të "ndalojë" të gjitha eksportet e Moskës për t’i shterruar fondet e luftës.
"Ne jemi të pakënaqur me faktin që embargoja e naftës nuk është bërë," tha Kuleba pas takimit me ministrat e jashtëm të BE-së në Bruksel.
“Është e qartë se kush po e bllokon këtë çështje. Por koha po mbaron sepse çdo ditë Rusia vazhdon të fitojë para dhe t'i investojë këto para në luftë.”
Kuleba tha se ishte i bindur se embargoja e naftës do të vinte dhe “çështja e vetme është se kur dhe cili do të jetë çmimi që Bashkimi Evropian do të duhet të paguajë për ta realizuar atë”.
“Ekziston një mirëkuptim midis vendeve anëtare të BE-së, ngase reputacioni i Bashkimit Evropian është në rrezik”, tha Kuleba.
Ai më pas i bëri thirrje bllokut 27-vendesh që të kalonte në një paketë të shtatë sanksionesh që do të bllokonin eksportet ruse dhe do t'i jepnin një goditje dërrmuese arkës së Presidentit Vladimir Putin.
Orbán njihet si miku më i mirë i Putinit në BE, dhe sipas analistëve, Rusia ka llogaritur në ndarjet e brendshme të BE-së për t'iu shmangur sanksioneve të mëdha për pushtimin e saj në Ukrainë.