Republikanët e Senatit i bllokojnë ndihmat e ShBA-së për Ukrainën dhe Izraelin
Anëtarët e Senatit të ShBA-së nga radhët e Partisë Republikane në opozitë e kanë bllokuar miratimin e ndihmave për Ukrainën pas dështimit për të siguruar kompromise rreth menaxhimit të kufirit, të cilat i kishin kërkuar si shkëmbim.
Pakoja 110-miliardëshe përfshinte 61 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën si dhe fonde për Izraelin e për ndihma në Gaza, raporton televizioni BBC.
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se fondet amerikane për Ukrainën mund të harxhohen së shpejti.
Kundër projektligjit votuan 51 senatorë, ndërsa vetëm 49 e përkahën atë. Për miratimin e pakos nevojiteshin 60 vota. Ky votim sjell paqartësi për të ardhmen e ndihmave të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe i kthen ligjvënësit në tavolinën e bisedimeve vetëm disa ditë para pushimit të planifikuar dimëror të Kongresit.
Të gjithë anëtarët e Partisë Republikane në senat votuan kundër ndihmave, bashkë me senatorin e pavarur, Bernie Sanders, i cili më herët gjatë ditës kishte shprehur rezerva për shkak të përfshirjes së miliarda dollarëve ndihmë ushtarake për Izraelin.
“Unë nuk mendoj se ne duhet të ndajmë mbi 10 miliardë dollarë për qeverinë e së djathtës ekstreme të Netanyanut që ta vazhdojë qasjen e saj të tanishme ushtarake”- tha senatori Sanders, duke iu referuar ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës, gjatë së cilës janë vrarë mijëra civilë.
“Ajo që qeveria e Netanyahut është duke bërë është e pamoralshme, është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara nuk duhet të jenë bashkëfajtore në ato veprime”- shtoi ai.
Më herët të mërkurën, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ai ishte “i gatshëm për të bërë kompromise të konsiderueshme për kufirin” me qëllim që të miratohej projektligji për ndihmat për Ukrainën e Izraelin.
“Kjo nuk mund të presë”- tha ai, duke shtuar se “republikanët në Kongres janë të gatshëm për t’ia dhënë Putinit dhuratën më të madhe për të cilën ai do të mund të shpresonte”.