Rënia e Mariupolit duket e afërt, luftëtarët largohen nga fabrika e çelikut - NACIONALE

Rënia e Mariupolit duket e afërt, luftëtarët largohen nga fabrika e çelikut

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditën e martë Mariupoli u shfaq në prag të rënies, ndërsa Ukraina vendosi të braktisë fabrikën e çelikut në të cilën qindra luftëtarë kishin qëndrur për muaj të tërë nën bombardime të pamëshirshme në bastionin e fundit të rezistencës në qytetin tashmë të shkatërruar.

Associated Press shkruan se, rënia e Mariupolit, do ta bënte atë qytetin më të madh deri tani që do të pushtohej nga forcat ruse duke i sjellë Kremlinit një fitore shumë të nevojshme, edhe pse qyteti është kthyer në gërmadha.

Ditën e hënë më shumë se 260 luftëtarë – disa të plagosur rëndë u nxorrën me barela dhe iu dorëzuan palës ruse sipas një marrëveshjeje të arritur nga të dyja palët ndërluftuese.

Më tej atuoritetet ukrainase njoftuan se janë duke punuar për të nxjerrë ushtarët e tjerë të mbetur, megjithëse nuk dihet numri i tyre i saktë.

E përderisa Ukraina për këtë operacion tha se “garzioni i tyre kishte përfunduar misionin”, Rusia e quajti një “dorëzim masiv”.

Presidenti ukrainas u shpreh se, “Ukraina ka nevojë për heronjtë ukrainas që të jenë gjallë. Është parimi ynë,” duke njoftuar se tashmë trupat e bllokuar tashmë kishin nisur të nxirren nga bunkerët e kohës së Luftës së Ftohtë.

Ende nuk është bërë e qartë se çfarë do të ndodhë me luftëtarët e nxjerrë, por një zyrtar rus e la të hapur mundësinë se ata mund t’i kthenin në Ukrainë në shkëmbim të robërve rus të luftës.

Ky operacion sinjalizoi fillimin e fundit të një rrethimi gati tre-mujor që e ktheu Mariupolin në një simbol mbarëbotëror të sfidës dhe vuajtjes. Sipas palës ukrainase nga bombardimet aty janë vrarë mbi 20,000 civilë, ku vetëm në dy sulme të raportuara në një maternitet dhe një teatër u fol për qindra civilë të vrarë.

Ndërsa tani, marrja e kontrollit të plotë të Mariupolit do t'i jepte Rusisë një urë tokësore për në Gadishullin e Krimesë, të cilin e mori nga Ukraina në vitin 2014, dhe do t'i privonte Ukrainës një port jetik. Gjithashtu qyteti to të jepte mundesinë që forcat ruse të mund të luftojnë edhe në vende tjera.

Dhe kjo do t'i sillte Rusisë një fitore të rëndësishme pas pengesave të vazhdueshme në fushën e betejës dhe në frontin diplomatik, duke filluar me përpjekjen e dështuar për të sulmuar kryeqytetin Kiev.

Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit, Suedia dhe Finlanda kanë njoftuar planet për të aplikuar për anëtarësim në NATO dhe Ukraina ka raportuar se forcat e Moskës ishin tërhequr nga qyteti verilindor i Kharkiv-it përballë kundërsulmeve dhe kishin marrë humbje të mëdha në një sulm ukrainas në një urë në Donbas.

Ushtarët e larguar nga fabrika e çelikut që zë një hapësirë prej mbi 11 kilometra, u ngarkuan në autobusë të shoqëruar nga automjete ushtarake ruse dhe u dërguan në dy qytete të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Moska.

Ukraina theksoi rolin që luftëtarët e Azovstal luajtën në rritjen e moralit ukrainas dhe lidhjen e forcave ruse që nuk mund të dislokoheshin diku tjetër.

Ndërsa, ministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar, lavdëroi luftëtarët dhe tha se ishte e pamundur të çliroheshin "me mjete ushtarake".

“Mbrojtësit e Mariupolit kanë përmbushur plotësisht të gjitha misionet e caktuara nga komandantët,” tha ajo.

Një tërheqje e plotë e negociuar mund të shpëtojë jetë edhe nga pala ruse, duke kursyer trupat e saj nga ajo që me siguri do të ishte një betejë e përgjakshme. Kjo tërheqje gjithashtu mund të funksionojë në dobi të Moskës duke hequr vëmendjen e botës nga vuajtjet në Mariupol.

Lajme të ngjashme