Rebelët Houthi të Jemenit rrëzojnë një dron të forcave amerikane
Rebelët Houthi të Jemenit kanë rrëzuar një dron ushtarak amerikan, sipas zyrtarëve të ShBA-së dhe lëvizjes Houthi, që mbështetet nga Irani.
Një zyrtar amerikan tha se droni i tipit MQ9 u rrëzua afër bregdetit të Jemenit nga forcat Houthi. Kjo u konfirmua nga një zëdhënës ushtarak i këtij grupi, raporton televizioni BBC.
Kjo ngjarje vjen në kohën e vigjilencës së lartë të Uashingtonit rreth aktiviteteve të grupeve të mbështetura nga Irani në Lindje të Mesme, përderisa Izraeli, armik i Iranit, po lufton kundër Hamasit në Rripin e Gazës.
Muajin e kaluar, në luftanije e ushtrisë amerikane pengoi raketa me vetëdrejtim e disa dronë të hedhur nga rebelët Houthi nga Jemeni drejt Izraelit.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar më afër Lindjes së Mesme kapacitete ushtarake shtesë, përfshirë dy aeroplanmbajtëse dhe anije mbështetëse, pas tensioneve rajonale për shkak të luftës Izrael – Hamas.
Këtu përfshihen trupat e vendosura në anije ushtarake në Detin e Kuq, në të cilin kanë dalje edhe Izraeli, edhe Jemeni.
Rebelët Houthi mbështeten nga Irani dhe nga viti 2014 janë përfshirë në një luftë të gjatë civile me qeverinë zyrtare të Jemenit, e cila mbështetet nga rivalja e Iranit, Arabia Saudite.
Nënkryetari i një grupi tjetër të përkrahur nga Irani në rajon, Hezbollahu, i tha televizionit BBC këtë javë se vrasja e civilëve në Gaza nga Izraeli rrezikon që të shkaktojë luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Sheikh Naim Qassem tha se “zhvillime shumë serioze dhe shumë të rrezikshme mund të ndodhin në rajon dhe askush nuk do të mund t’i ndalte pasojat”.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara thanë të mërkurën se kishin kryer sulme ajrore kundër një objekti në lindje të Sirisë, për të cilin thanë se përdorej nga Rojat Revolucionare të Iranit dhe grupet e lidhura me to.
Një zyrtar i Pentagonit tha se këto sulme, të dytat në javët e fundit, ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve kundër forcave amerikane në Irak e Siri.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë për përcjelljen e luftës, tha se nga sulmi i forcave amerikane u vranë nëntë persona të lidhur me grupet e mbështetura nga Irani në Siri. Sidoqoftë, kjo shifër nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

