Raportohet se udhëheqësit e Hamasit janë përçarë rreth propozimit për armëpushim - NACIONALE

Raportohet se udhëheqësit e Hamasit janë përçarë rreth propozimit për armëpushim

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Përçarjet e brendshme mes udhëheqësve të Hamasit po e parandalojnë grupin palestinez që të përkrahë një propozim për ndërprerje të përkohshme të luftimeve në Gaza e lirim të pengjeve izraelite, raportoi të premten gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”.

Sipas raportimit të kësaj gazete, shefi i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, është duke e përkrahur armëpushimin e përkohshëm, ndërsa udhëheqësit e organizatës jashtë enklavës po bëjnë shtytje për të kërkuar më shumë koncesione nga Izraeli si dhe armëpushim të përhershëm.

Disa zyrtarë të paidentifikuar, të afërt me bisedimet për propozimin për armëpushim, i thanë gazetës “The Wall Street Journal” se Sinwari dëshiron një armëpushim 6-javor në mënyrë që pjesëtarët e Hamasit të rigrupohen dhe të hyjnë më shumë ndihma në Gaza.

Megjithatë, shefi i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, po bën thirrje për armëpushim të përhershëm me garanci ndërkombëtare dhe për një plan për rindërtimin e Gazës.

“Familjet e tyre po vriten” – tha njëri nga zyrtarët që foli për gazetën amerikane, duke iu referuar udhëheqësve të Hamasit në Gaza e asaj që duket si gatishmëri e tyre për t’u pajtuar me propozimin për armëpushim të përkohshëm.

Zyrtarët e Hamasit kanë thënë se grupi ishte duke e analizuar marrëveshjen e propozuar që do të përfshinte periudha më të gjata armëpushimi e këmbim të pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë, por, në të njëjtën kohë, u dukën sikur përjashtuan disa nga pjesët kyçe të propozimit të premten.

Zyra e Haniyeh-s tha të premten se shefi i grupit zhvilloi një bisedë telefonike me udhëheqësin e grupit Xhihadi Islamik Palestinez, Ziad Nakhaleh, për të folur rreth marrëveshjes së propozuar. Sipas një deklarate të kësaj zyre, të dy u pajtuan se çfarëdo marrëveshjeje me Izraelin për lirimin e pengjeve duhet të shoqërohet nga ndërprerja e plotë e luftimeve, tërheqja e forcave izraelite nga Gaza, përfundimi i bllokadës, rindërtimi i enklavës dhe lirimi i të burgosurve palestinezë.

Kërkesa të tilla të lira mund të shihen si të papranueshme që në fillim për Izraelin, i cili është zotuar për ta zhbërë Hamasin pas sulmit të 7 tetorit, kur u vranë rreth 1.200 njerëz e u morën peng 253 të tjerë.

Një delegacion i udhëheqësve të Hamasit udhëtoi në Kajro të enjten për bisedime me zyrtarë egjiptianë, përfshirë shefin e inteligjencës, Abbas Kamel, për marrëveshjen e mundshme, përvijimi i së cilës ishte bërë gjatë një takimi në Paris javën e kaluar në prani të zyrtarëve izraelite e amerikanë si dhe të ndërmjetësuesve nga Katari e Egjipti.

Sipas disa raportimeve, në propozim përfshihen ndërprerja e luftimeve në Gaza për gjashtë javë për herë të parë nga nëntori dhe lirimi i të gjitha pengjeve që po mbahen ende në Gaza, edhe pse jo të gjitha janë gjallë.

Megjithatë, në disa raportime të tjera thuhet se në propozim përfshihet lirimi i vetëm 35 pengjeve – gra, të moshuar e të sëmurë – gjatë një armëpushimi fillestar prej 35 ditësh, me mundësinë e zgjatjes së tij për një javë, gjatë së cilës do të zhvilloheshin bisedime për lirimin e më shumë pengjeve.

Një zyrtar i lartë egjiptian, i afërt me këto bisedime, të premten i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se në propozim përfshihet një armëpushim fillestar prej gjashtë deri në tetë javësh, gjatë të cilit Hamasi do t’i lironte të moshuarit, gratë dhe fëmijët që po mbahen peng, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur në Izrael./Nacionale

Lajme të ngjashme