Raportohet se Trumpi po e shqyrton njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë - NACIONALE

Raportohet se Trumpi po e shqyrton njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë

1 vit më parë

nga Nasuf Abdyli

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është duke e shqyrtuar njohjen e Gadishullit të Krimesë, të cilën Rusia e kishte aneksuar nga Ukraina më 2014, si territor rus në një marrëveshje të mundshme të paqes në të ardhmen për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar një raportim të mediumit amerikan “Semafor”.

Mediumi “Semafor”, duke cituar dy persona të afërt me çështjen, thanë se zyrtarët amerikanë gjithashtu e kishin diskutuar mundësinë që Uashingtoni t’u bëjë thirrje Kombeve të Bashkuara që ta bëjnë të njëjtën gjë, raporton agjencia “Reuters”.

Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte raportin në mënyrë të pavarur. Mediumi “Semafor” tha se Shtëpia e Bardhë kishte refuzuar të komentonte.

Mediumi “Semafor” tha se Trumpi nuk kishte marrë formalisht ndonjë vendim dhe se lëvizjet e mundshme rreth Krimesë ishin në mesin e opsioneve të ndryshme që po qarkullonin.

Trumpi pritet të bisedojë të martën në telefon me homologun rus, Vladimir Putin, në përpjekje për ta bindur kreun e Kremlinit që të pranojë një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën dhe të lëvizë drejt përfundimit të përhershëm të luftës.

Krimea ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Ukrainës nga shumica e shteteve dhe Kievi ka thënë se dëshiron që ta rikthejë këtë gadishull, edhe pse ka pranuar se kthimi i tij nën kontroll me forcë është joreal tani për tani.

Kremlini në mënyrë të përsëritur ka thënë se Krimea, ku është vendosur Flota e Detit të Zi e Rusisë dhe ku popullsia para aneksimit ishte kryesisht rusishtfolëse, tashmë është formalisht pjesë e Rusisë, çështje për të cilën thotë se është mbyllur “përgjithmonë”./Nacionale

Lajme të ngjashme