Raportohet se themeluesi i gjigantit Alibaba, Jack Ma, fshihet në Tokio - NACIONALE

Raportohet se themeluesi i gjigantit Alibaba, Jack Ma, fshihet në Tokio

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pas goditjes së Pekinit kundrejt firmave më të mëdha të teknologjisë së vendit dhe njerëzve më të fuqishëm e të pasur, është raportuar se miliarderi Jack Ma, themeluesi i gjigantit të tregtisë elektronike Alibaba është duke u fshehur në Tokio bashkë me familjen e tij.

Ma, i cili deri në shtypjen e teknologjisë ishte personi më i pasur i Kinës, që nga kritika e tij ndaj rregullatorëve kinezë lidhur me qëndrimin e tyre ndaj kompanive të teknologjisë, është parë shumë rrallë në publik.

Vitin e kaluar, miliarderi Ma ishte parë në një video shumë të shkurtër të publikuar në internet nga Holanda, dhe më pas gjatë verës është parë superjahti i tij duke u ankoruar në ishullin spanjoll të Mallorca-s. Por në përgjithësi, Ma, 58 vjeç ka mbajtur një profil të ulët, duke jetuar jashtë vendit të tij të lindjes Kinë.

Duke cituar burime anonime, Financial Times, e cila është në pronësi të kompanisë japoneze të medias Nikkei, tha se miliarderi Ma së fundmi ka jetuar në Japoni. Gazeta njoftoi se për gati gjashtë muaj ish-mësuesi i anglishtes, i kthyer në superstar të teknologjisë, është duke jetuar në Tokio bashkë me familjen e tij.

Kujtojmë se, pasi rregullatorët kinezë vepruan kundër perandorisë së tij të madhe teknoligjike, pasuria e Ma-së, që ishte pothuajse 50 miliardë dollarë, është përgjysmuar në 21.7 miliardë dollarë. Por, i njohur për natyrën e tij të hapur, themeluesi i Alibaba akuzoi rregullatorët për mbytje të inovacionit, ku më pas thuhet se komentet e tij kanë zemëruar presidentin, Xi Jinping duke bërë që Ma të zhduket nga publiku për tre muaj.

Atëkohë, rregullatorët kinezë lëvizën për të bllokuar qarkullimin e bursës prej 34 miliardë dollarësh të filialit të pagesave në internet Alibaba Ant Group, e cila do të kishte qenë oferta më e madhe e aksioneve në histori.

Pekini po ashtu urdhëroi që Alibaba të shesë disa nga asetet e saj mediatike, të cilat përfshijnë South China Morning Post të Hong Kongut, pasi qeveria goditi ndikimin publik në rritje të mbajtur nga konglomeratet teknologjike të vendit si Alibaba dhe Tencent.

E vetëm pak muaj më vonë, Alibaba u gjobit edhe me një gjobë rekord prej 2.8 miliardë dollarësh për praktikat antikonkurruese, e cila shënoi edhe fundin e armiqësive rregullatore kundër kompanisë, megjithëse ajo ishte ende e detyruar të pajtohej me një program "korrigjimi gjithëpërfshirës".

Ndërsa tani, sipas The Guardian, drejtimi i përditshëm i interesave të teknologjisë së Ma-së, në Kinë, i është deleguar kryesisht një gjenerate të re drejtuesish.

Lajme të ngjashme