Kina e gatshme për “partneritet më të ngushtë” me Rusinë - NACIONALE

Kina e gatshme për “partneritet më të ngushtë” me Rusinë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sipas një agjencie shtetërore të lajmeve në Kinë, presidenti kinez Xi Jinping, ka thënë se vendi është i gatshëm të “krijojë partneritet më të ngushtë” me Rusinë në fushën e energjisë, duke zgjeruar kështu lidhjet që shqetësojnë Uashingtonin, pasi ndihmojnë Kremlinin t’u rezistojë sanksioneve të vendosura për shkak të luftës në Ukrainë.

Në këtë njoftim nuk janë dhënë shumë detaje, ndërsa është bërë e ditur se ky koment i Xi-së, është bërë në një letër drejtuar Forumit të 4-të të Biznesit të Energjisë Kinë-Rusi.

Kujtojmë se Kina është një nga klientët më të mëdhenj të naftës dhe gazit rus, me blerje të dyfishuara brenda një viti, duke përfituar nga zbritjet e ofruara nga Moska.

"Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të krijuar një partneritet më të ngushtë në bashkëpunimin energjetik," ka cituar Xi-në, agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua. Sipas kësaj agjence, në letër më tej është shkruar se, "bashkëpunimi energjetik është një gur themeli i rëndësishëm i bashkëpunimit praktik midis Kinës dhe Rusisë."

Uashingtoni, Evropa dhe Japonia kanë ulur blerjet e energjisë ruse dhe e kanë larguar vendin nga sistemi bankar global në shenjë hakmarrjeje për pushtimin e Ukrainës.

Por Xi, në një deklaratë të përbashkët me Putinin, pak kohë para sulmit ishte deklaruar se ata kishin një miqësi "pa kufi".

Edhe pse sanksionet nuk e ndalojnë Kinën, Indinë apo vende të tjera të blejnë naftë dhe gaz rus, presidenti Joe Biden e ka paralajmëruar Xi-në për pasoja të paspecifikuara nëse Pekini ndihmon Putinin të shmangë sanksionet.

Marrëdhëniet Pekin-Moskë ishin të ftohta gjatë epokës sovjetike, por të dyja palët kanë krijuar një martesë politike të favorshme që nga vitet 1990, të bashkuar nga zhgënjimi i përbashkët me dominimin e ShBA-së në çështjet globale.

Lajme të ngjashme