Pentagoni: Deri në vitin 2035, Kina mund të posedojë 1 mijë e 500 koka bërthamore
Një raport i ri nga Pentagoni ka zbuluar se, stoku i kokave bërthamore të Kinës ka tejkaluar numrin 400, me Pekinin që është fokusuar në përshpejtimin e zgjerimit bërthamor ndërsa kërkon të sfidojë ShBA-në si siperfuqinë më të madhe në botë.
Sipas CNN, në vitin 2020, SHBA ka vlerësuar se Kina kishte 200 koka bërthamore që pritej të dyfishoheshin brenda një dekade, megjithatë sipas raportit të Fuqisë Ushtarake të Kinës 2022 të publikuar të marten, duket se Kina ka dyfishuar ato vetëm për dy vite.
E sipas raportit të lëshuar nga Pentagoni, nëse ky ritëm do të vazhdojë edhe më tej, deri në vitin 2035 Kina do të posedojë 1,500 koka bërthamore.
"Ajo që ne kemi parë në të vërtetë në dy vitet e fundit është ky zgjerim i përshpejtuar," është shprehur një zyrtar i lartë i mbrojtjes.
Sipas raportit të Pentagonit, vendi më i populluar në botë po përdor ushtrinë e tij në rritje si një nga mjetet e tij për të krijuar një sistem ndërkombëtar që favorizon pikëpamjen e tij botërore, duke paraqitur "sfidën më të rëndësishme dhe sistematike për sigurinë kombëtare të ShBA-së". Më tej thuhet se, investimi i Pekinit në treshen e tij bërthamore – opsionet e lëshimit bërthamor me bazë deti, tokës dhe ajrit – është shkak për shqetësim në Uashington.
"Ne shohim, mendoj, një grup aftësish që po marrin formë dhe numra të rinj në lidhje me atë që ata po kërkojnë të ndjekin që ngrenë disa pyetje se cili do të jetë qëllimi i tyre në një afat më të gjatë," ka deklaruar zyrtari i mbrojtjes, duke folur për raportin e fundit.
Në raport po ashtu thuhet, se brend vitit 2021 Kina ka kryer 135 teste të raketave balistike, që është më shumë se pjesa tjetër e botës së bashku.
Ndër të tjera, bëhet e ditur se ushtria kineze, e njohur zyrtarisht si Ushtria Çlirimtare e Popullit, është duke zhvilluar armë hapësinore dhe kundërhapësirë, duke e parë teknologjinë e avancuar si një mënyrë për të penguar ndërhyrjen e jashtme në një konflikt ushtarak rajonal.
Sipas këtij raporti, Kina ka një ushtri të përhershme prej afro 1 milion ushtarësh, marinën më të madhe në botë për nga numri i anijeve dhe forcën e tretë ajrore më të madhe në botë.
Kujtojmë se, Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes e vitit 2022, e publikuar muajin e kaluar, e identifikon Kinën si sfidën e madhe për Shtetet e Bashkuara, një pikë e përsëritur shpesh nga drejtuesit më të lartë të Pentagonit.
"Kina është i vetmi vend atje që gjeopolitikisht ka potencialin e fuqisë për të qenë një sfidë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara," ka thënë kreu i Shefave të Përbashkët Gjeneral Mark Milley në një konferencë shtypi të mbajtur në fillim të këtij muaji, ai më tej ka shtuar se, “bazuar në popullsinë e tyre, teknologjinë e tyre, ekonominë e tyre dhe një mori gjërash të tjera, Kina është sfida më e madhe gjeopolitike për Shtetet e Bashkuara.”
Dijmë se, tensionet midis Pekinit dhe Uashingtonit rrotullohen shpesh rreth Tajvanit, një ishull demokratik dhe vetëqeverisës, të cilin Kina e sheh si një pjesë themelore të territorit të saj sovran.

