Raportohet se ShBA-ja ka miratuar dërgim miliardësh të aeroplanëve e bombave në Izrael - NACIONALE

Raportohet se ShBA-ja ka miratuar dërgim miliardësh të aeroplanëve e bombave në Izrael

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Shtetet e Bashkuara ditëve të fundit e miratuan transferimin e bombave dhe aeroplanëve luftarakë me vlerë miliardëshe në Izrael, thanë të premten dy burime të afërta me këtë çështje, edhe pse Uashingtoni publikisht po shpreh shqetësim për një ofensivë të pritshme ushtarake izraelite në qytetin Rafah të Gazës.

Në pakon e re të armëve përfshihen më shumë se 1.800 bomba të tipit MK-84 dhe 500 bomba të tipit MK-82, thanë burimet, të cilat konfirmuan një raportim të gazetës “The Washington Post”.

Shtetet e Bashkuara i japin Izraelit asistencë ushtarake vjetore me vlerë prej 3,8 miliardë dollarësh, raporton gazeta “The Guardian”.

Kjo pako vjen kur Izraeli po ballafaqohet me kritika të forta ndërkombëtare për fushatën e vazhdueshme bombarduese dhe ofensivën tokësore në Gaza, përderisa disa anëtarë të Partisë Demokratike të presidentit Joe Biden të ShBA-së po i bëjnë thirrje atij që t’ia pakësojë ndihmat ushtarake Izraelit.

Transferi i ri i armëve ka nxitur kritika dhe akuza për hipokrizi nga disa ligjvënës, përderisa Shtëpia e Bardhë ka shprehur shqetësim për vdekjet e civilëve në Gaza dhe për qasjen e ndihmave humanitare në enklavën që është buzë vdekjes nga uria, raportoh gazeta “The Washington Post”.

Senatori Bernie Sanders e quajti “të turpshëm” vendimin për transferimin e armëve në Izrael. Senatori Jeff Merkley pati mendim të ngjashëm, duke e quajtur vendimin “të gabuar në çdo nivel”.

Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Izraelit mbrojtje ajrore e municion, por disa demokratë dhe grupe të arabo-amerikanëve e kanë kritikuar përkrahjen e palëkundur të administratës së Bidenit për këtë shtet, për të cilën thonë se ia ofron ndjenjen e pandëshkueshmërisë.

Bideni të premten e pranoi “dhimbjen që po ndihet” nga shumë arabo-amerikanë për luftën në Gaza dhe për përkrahjen amerikane për Izraelin dhe ofensivën ushtarake të tij.

Prapëseprapë, ai u zotua për përkrahje të vazhdueshme për Izraelin, pavarësisht nga një përplasje gjithnjë më publike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Shtëpia e Bardhë refuzoi që ta komentonte transferimin e armëve. Ambasada izraelite në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Vendimi për armët vjen pas një vizite këtë javë në Uashington të ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, kur ai diskutoi me zyrtarë amerikanë për nevojat e Izraelit për armë.

Duke folur para gazetarëve të martën, ministri izraelit, si duket duke u përpjekur që t’i ulte tensionet ShBA- Izrael, tha se ai e kishte theksuar rëndësinë e lidhjeve me ShBA-në për sigurinë e Izraelit si dhe rëndësinë e mbajtjes së “epërsisë cilësore ushtarake” të Izraelit në rajon, përfshirë kapacitetet ajrore./Nacionale

Lajme të ngjashme