Raportohet se ShBA-ja do t’i japë Ukrainës sistem raketor me rreze të gjatë, ATACMS - NACIONALE

Raportohet se ShBA-ja do t’i japë Ukrainës sistem raketor me rreze të gjatë, ATACMS

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, planifikon që t’i japë Ukrainës raketa të avancuara me rreze të gjatë për ta ndihmuar Kievin gjatë kundërsulmit ndaj forcave ruse, sipas raportimeve të mediave amerikane.

Këto media citojnë zyrtarë amerikanë të afërt me çështjen të kenë thënë se Ukraina do të marrë disa raketa të sistemit ATACMS, që kanë rreze veprimi deri në 300 kilometra, raporton televizioni BBC.

Kjo do t’i mundësonte Ukrainës që të godiste caqe ruse thellë prapa vijës së frontit.

Televizioni “NBC News” dhe gazeta “The Wall Street Journal” citojnë zyrtarë të paidentifikuar amerikanë të kenë thënë se presidenti Biden i ka thënë homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Kievi do të marrë “një numër të vogël” të sistemeve raketore ATACMS. Dy presidentët u takuan të shtunën në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, gazeta “The Washington Post” citon disa persona me njohuri për këto diskutime të kenë thënë se Ukraina do të marrë sisteme ATACMS të armatosura me bomba thërrmuese e jo me një kokë të vetme.

As Shtetet e Bashkuara, as Ukraina nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht raportimet e mediave amerikane.

Pas takimit mes Bidenit dhe Zelenskyt, Uashingtoni njoftoi një pako të re të ndihmës ushtarake me vlerë të 325 milionë dollarëve për Ukrainën, në të cilën do të përfshihen artileria dhe municioni.

Lajme të ngjashme