Raportohet se Rusia dhe Ukraina do të lirojnë nga 50 të burgosur të luftës - NACIONALE

Raportohet se Rusia dhe Ukraina do të lirojnë nga 50 të burgosur të luftës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia dhe Ukraina do të lirojnë nga 50 të burgosur të luftës të enjten. Kështu tha administratori i rajonit Donetsk të Ukrainës, i cili përkrahet nga Rusia.

Agjencia “Reuters” ka raportuar se përfaqësuesit rusë dhe ukrainas udhëtuan për në Abu Dabi të enjten e 17 nëntorit. Atje diskutuan për lejimin e rifillimit të eksportimit të amoniakut rus në këmbim të shkëmbimit të të burgosurve, me të cilin do të liroheshin një numër i madh i të burgosurve ukrainas e rusë, thanë burimet.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se udhëheqësia e Ukrainës do të mund t’u jepte fund vuajtjeve në këtë shtet duke i përmbushur kërkesat e Rusisë për zgjidhjen e konfliktit.

Kur u pyet nëse Rusia është e brengosur për efektin ndaj popullatës civile të sulmeve të saj ndaj infrastrukturës së energjisë, që kanë shkaktuar ndërprerje të vazhdueshme të rrymës, zëdhënësi rus tha se Rusia ka sulmuar caqe me rëndësi ushtarake e jo sociale.

Ambasadori i Ukrainës në Turqi, Vasyl Bodnar, tha se “lirimi i të burgosurve tanë të luftës është pjesë e bisedimeve për hapjen e eksporteve ruse të amoniakut”, duke shtuar: “Natyrisht se ne kërkojmë mënyra për ta bërë këtë në secilën mundësi”. Ambasadori tha se nuk di nëse në Emiratet e Bashkuara Arabe është zhvilluar ndonjë takim.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vënë publikisht disa kushte për t’ia lejuar Rusisë rifillimin e eksportimit të amoniakut përmes këtij gypi, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve dhe rihapjen e portit të Mykolaiv-it në Detin e Zi.

Ndërkohë më shumë se dy të tretat e kryeqytetit ukrainas, Kiev, ishin ende pa rrymë të enjten në mëngjes, ndërsa disa banorë ende nuk kanë ujë, një ditë pasi sulmet ruse me raketa e shkaktuan ndërprerjen më të madhe të rrymës që nga fillimi i luftës.

Lajme të ngjashme