Raportohet se komandantët rusë po i torturojnë e ekzekutojnë ushtarët që e refuzojnë luftën
Komandantët rusë po ekzekutojnë ose po i çojnë qëllimisht drejt vdekjes ushtarët që refuzojnë të luftojnë në Ukrainë, sipas një hulumtimi të ri nga mediumi i pavarur “Verstka”, i cili paraqet një tablo të zymtë të dhunës së brendshme në ushtrinë ruse.
Duke u mbështetur në rrëfimet e ushtarëve në shërbim, të afërmve të të vdekurve, pamjeve të rrjedhura dhe të dhënave zyrtare për ankesa, mediumi “Verstka” thotë se ka identifikuar 101 ushtarë rusë të akuzuar për vrasjen, torturimin ose ndëshkimin fatal të kolegëve të tyre. Mediumi shton se ka verifikuar të paktën 150 vdekje, edhe pse beson se shifra e vërtetë është shumë më e lartë, transmeton gazeta “The Guardian”.
Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës, raportimet për vrasje të ushtarëve nga krahu i tyre dhe nga të ashtuquajturat njësite bllokuese të dislokuara për t’i parandaluar tërheqjet kanë qarkulluar gjerësisht.
Kremlini në mënyrë të përsëritur i ka hedhur poshtë dyshimet për mungesë disipline në mesin e trupave ruse, duke këmbëngulur se probleme të tilla janë të përhapura në ushtrinë ukrainase, transmeton gazeta "Nacionale".
Megjithatë, raporti i mediumit “Verstka” duket se është më gjithëpërfshirësi deri më tani, duke dokumentuar një katalog të hollësishëm të metodave të përdorura për t’i zbatuar dëgjueshmërinë dhe terrorin në rangjet e ushtrisë ruse.
“Verstka” citoi dëshmi nga ushtarë që kanë thënë se komandantët e tyre caktonin “qitës për ekzekutime” për të hapur zjarr në drejtim të atyre që refuzonin të luftonin dhe më vonë i hidhnin trupat e tyre në lumenj apo në varre të cekëta, duke i regjistruar si të vrarë në aksione.
Në rrëfime të tjera thuhet se komandantët përdornin dronë dhe mjete shpërthyese për t’u “dhënë fund” ushtarëve të plagosur ose atyre që tërhiqeshin nga fronti. Në disa raste, oficerët thuhet se i kanë urdhëruar operatorët e dronëve që të lëshojnë granata mbi ushtarët e tyre, duke i maskuar vrasjet si sulme në fushën e betejës.
“Verstka”, medium i pavarur rus që ka fituar çmime dhe që tani vepron në ekzil, e themeluar nga disa prej gazetarëve hulumtues më të respektuar në Rusi, gjithashtu dokumentoi raste të ushtarëve të torturuar deri në vdekje.
Ushtarët që nuk i respektuan urdhrat thuhet se u hodhën në gropa të mbuluara me grila metalike, të mbushura me ujë, duke u rrahur me orë ose madje ditë të tëra. Sipas hulumtimit, në disa raste, këta ushtarë ishin të detyruar që të luftonin mes vete në ato që dëshmitarët i përshkruanin si beteja në stilin e gladiatorëve, deri në vdekje.
Një rast i tillë ishte shfaqur në një video që qarkulloi në maj të këtij viti nga grupet ukrainase që i vëzhgojnë forcat ruse. Në video shihen dy burra pa rroba në pjesën e sipërme të trupit në një gropë, ndërsa një zë prapa kamerës thotë: “Komandanti Kama në thelb tha se kushdo që e rreh tjetrin për vdekje del nga gropa.”
Burrat fillojnë të përleshen, përderisa zëri prapa kamerës u thotë: “Jepi fund tashmë, çka po pret”, derisa njëri bie pa ndjenja në tokë.
“Verstka” gjithashtu lidhi disa vrasje me skema të zhvatjes financiare në të cilat komandantët kërkonin pagesa nga ushtarët në mënyrë që ata t’i shmangeshin misionit vetëvrasës. Ata që nuk mund të paguanin, u bënë “zero” – gjuhë joformale e ushtrisë për ekzekutimin.