Raportohet se Izraeli vrau së paku 60 palestinezë në Gaza të mërkurën, shumica prisnin për ndihma
Forcat izraelite vranë të paktën 60 palestinezë në Gaza të mërkurën, shumica prej tyre që po kërkonin ushqim nga një program amerikano-izraelit i shpërndarjes, sipas autoriteteve shëndetësore lokale.
Zyrtarët mjekësorë thanë se të paktën 25 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, kur po i afroheshin një qendre të shpërndarjes së ndihmave, e cila menaxhohet nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), afër Netzarimit në pjesën qendrore të Gazës, raporton gazeta “The Guardian”.
Më vonë të mërkurën, të paktën 14 njerëz u vranë nga zjarri i armëve izraelite, përderisa po lëviznin drejt një qendre tjetër të ndihmave të menaxhuar nga GHF-ja, në qytetin Rafah, në kufirin jugor të Gazës. Të martën, trupat izraelite vranë 17 palestinezë përreth pikave të GHF-së për shpërndarjen e ndihmave.
Trupat e dy pengjeve izraelite u nxorën nga Gaza nga ushtria izraelite dhe nga shërbimi izraelit për siguri të brendshme, Shin Bet. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, lëshoi një deklaratë në të cilën e identifikoi pengun Yair Yaakov, baba 59-vjeçar i tre fëmijëve, i cili ishte rrëmbyer dhe vrarë nga Hamasi gjatë sulmit të këtij grupi më 7 tetor 2023. Netanyahu tha se pengu tjetër nuk mund të identifikohej.
Autoritetet shëndetësore në Gaza thanë të mërkurën se numri i përgjithshëm i të vdekurve që nga fillimi i konfliktit ka shkuar në mbi 55.000. Ministria e Shëndetësisë ka qenë pjesë e qeverisë së Hamasit, por ka staf me profesionistë shëndetësorë dhe statistikat e saj cilësohen të besueshme nga OKB-ja dhe organizata të tjera globale.
Ditëve të fundit, gjithnjë më shumë viktima janë ndërlidhur me shpërndarjen e ndihmave ushqimore nga GHF-ja. Të mërkurën, Qendra për të Drejta Kushtetuese, grup ligjor me bazë në Nju-Jork, e paralajmëroi GHF-në për “përgjegjësi të mundshme ligjore për bashkëfajësi në krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid kundër Palestinezëve nga Izraeli”.
Ekspertët humanitarë më parë kanë paralajmëruar se skema e GHF-së ose shpërndarja e ushqimit nga një numër i kufizuar i qendrave të militarizuara rëndë do të ishin shumë të rrezikshme për njerëzit që kërkojnë ushqim, duke i detyruar ata që t’i kalojnë zonat e luftimeve./Nacionale