Raportohet se Izraeli ka bërë propozim që zor refuzohet: dy muaj armëpushim e një tërheqje forcash - NACIONALE

Raportohet se Izraeli ka bërë propozim që zor refuzohet: dy muaj armëpushim e një tërheqje forcash

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Raportohet se Izraeli ka dorëzuar një propozim përmes ndërmjetësve të Katarit e Egjiptit për një pauzë të ofensivës së tij ushtarake kundër Hamasit në Gaza për dy muaj në këmbim të lirimit në faza të 136 pengjeve të mbetura atje.

Në këtë propozim nuk merret parasysh kërkesa e Hamasit që Izraeli t’i japë fund luftës tërësisht, por duket se dokumenti shkon më larg se ofertat e kaluara izraelite, sipas uebfaqes amerikane të lajmeve, “Axios”, e cila citoi dy zyrtarë izraelitë, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Zyrtarët izraelitë i thanë mediumit amerikan se Izraelin tani është duke e pritur përgjigjen nga Hamasi për këtë propozim dhe është optimist në masë të caktuar për mundësinë për përparim ditëve të ardhshme.

Sipas propozimit, fëmijët, gratë, burrat mbi moshën 60-vjeçare dhe pengjet e sëmura në masë kritike do të liroheshin gjatë fazës së parë. Më pas do të liroheshin gratë ushtare dhe burrat nën moshën 60-vjeçare që nuk janë ushtarë. Në fund do të liroheshin burrat ushtarë dhe do të dorëzoheshin trupat e pajetë të pengjeve që kanë vdekur.

Në ofertën izraelite thuhet se Izraeli dhe Hamasi do të arrinin pajtim paraprakisht për numrin e të burgosurve palestinezë që do të liroheshin nga Izraeli në secilën fazë, para zhvillimit të bisedimeve të ndara për emrat e të dënuarve që do të liroheshin.

Për më tepër, në ofertë përfshihen edhe një tërheqje e forcave izraelite nga qendrat kryesore të popullsisë në Rripin e Gazës dhe kthimi gradual i palestinezëve në pjesën veriore të enklavës, nga e cila ishin urdhëruar që të zhvendoseshin.

Në propozim bëhet e qartë se Izraeli nuk do të pajtohet për përfundim të plotë të luftës e as për lirim të të gjithë 6.000 të burgosurve palestinezë, por zyrtarët izraelitë i thanë faqes “Axios” se ishin të gatshëm për të liruar një numër të konsiderueshëm të tyre.

Nëse propozimi zbatohet, operacionet e ushtrisë izraelite në Gaza do të ishin më të vogla në masë të konsiderueshme pas përfundimit të armëpushimit 2-mujor, raporton uebfaqja “Axios”.

Ky raportim erdhi pas një takimi të hënën mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe familjeve të pengjeve, të cilave ai u tha se “në kundërshtim me atë që është thënë, nuk ka pasur propozim të vërtetë nga Hamasi”, sipas një deklarate të zyrës së tij.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme