Raportohet se forcat ruse kanë kapur një britanik që po luftonte për Ukrainën në Kursk
Forcat ruse kanë kapur një mercenar britanik që po luftonte me ushtrinë ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, që ende kontrollohet pjesërisht nga forcat e Kievit, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA, një burim i sigurisë.
“Një mercenar nga Britania e Madhe, që e quajti veten James Scott Rhys Anderson, u kap. Ai tani është duke dhënë dëshmi” – i tha agjencisë RIA burimi rus në komentet që u publikuan të dielën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një video të publikuar në kanale jozyrtare ruse pro luftës të dielën në rrjetin “Telegram”, një burrë i ri me mjekër, i veshur me rroba ushtarake me duar që dukej se i kishte të lidhura prapa shpinës, thotë në gjuhën angleze se emri i tij është James Scott Rhys Anderson dhe se më parë ka shërbyer në ushtrinë britanike.
Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte në mënyrë të pavarur videon dhe raportimet e RIA-s e të mediave të tjera.
Nuk qe e qartë se kur ishte incizuar videoja. Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së agjencisë “Reuters” për koment rreth raportimeve. Kërkesa u bë jashtë orarit zyrtar të punës.
BBC-ja raportoi më herët se Zyra e Jashtme kishte thënë që po “e përkrahte familjen e një burri britanik pas raportimeve për ndalimin e tij”.
Forcat ukrainase, të cilat kishin nisur sulm të befasishëm në rajonin kufitar rus të Kurskut në gusht, ende kanë nën kontroll një pjesë të tij. Megjithatë, Kievi tha në fundjavë se tashmë ka humbur mbi 40 për qind të territorit që e kishte kapur, pasi forcat ruse kryen një valë kundërsulmesh./Nacionale