Raportohet për sulm me dronë ujorë afër portit rus, Novorossiysk - NACIONALE

Raportohet për sulm me dronë ujorë afër portit rus, Novorossiysk

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Është raportuar për shpërthime gjatë natës së kaluar afër portit rus, Novorossiysk, në Detin e Zi. Ky port shtrihet afër Krimesë.

Në pamje të publikuara në rrjete sociale duket se shfaqen shpërthime të forta në këtë port, që është qendër e rëndësishme për eksportet e mallrave ruse, raporton televizioni BBC.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kishte zmbrapsur një sulm ukrainas në bazën detare të saj atje me dy dronë ujorë. Kjo ministri tha se dronët janë vërejtur dhe janë shkatërruar nga anijet ruse që e ruajnë pjesën e jashtme të limanit të bazës detare.

Porti pezulloi përkohësisht çdo lëvizje të anijeve pas sulmit, sipas Konsorciumit të Rrjetit të Kaspikut, që ngarkon naftë në kontejnerë në këtë port.

Sipas hulumtimeve të BBC-së, Ukraina ka kryer të paktën dhjetë sulme me dronë ujorë, duke vënë në shënjestër anije ushtarake ruse, bazën detare ruse në Sevastopol si dhe limanin në Novorossiysk.

Hulumtimet janë të mbështetura në njoftimet e autoriteteve ukrainase e ruse si dhe në raportimet e mediave lokale. Burimet e mbrojtjes në Ukrainë i kanë thënë televizionit CNN se dronët ujorë ishin përdorur edhe në një sulm në korrik ndaj Urës së Kerch-it, që të çon në Krime.

Novorossiyski është njëri nga portet më të mëdha në bregdetin e Detit të Zi. Shërbimet emergjente në atë zonë i konfirmuan raportimet për shpërthime dhe shërbimet e sigurisë janë njoftuar, raportuan mediat shtetërore ruse.

Ukraina deri më tani nuk i ka komentuar publikisht raportimet për këto sulme.

Përleshjet në det janë shtuar javëve të fundit, pasi Rusia u largua nga marrëveshja për eksportimin e sigurt të drithit përmes transportit detar.

Këtë javë, Rusia i sulmoi portet e mëdha detare ukrainase në Detin e Zi, Odesa dhe Chornomorsk, ku autoritetet thanë se 60 mijë tonë dridh u shkatërruan. Forcat ruse i kanë sulmuar edhe portet ukrainase në Lumin Danub.

Të premten, Rusia tha se kishte rrëzuan dhjetë dronë ajrorë ukrainas mbi Gadishullin e Krimesë.

Lajme të ngjashme