Rusia e sulmon portin ukrainas në Danub, rritet çmimi i grurit - NACIONALE

Rusia e sulmon portin ukrainas në Danub, rritet çmimi i grurit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia i sulmoi portet ukrainase të drithit në orët e hershme të së mërkurës, përfshirë një port brenda territorit tokësor pranë lumit Danub, afër kufirit me Rumaninë, duke i ngritur çmimet globale të ushqimit, përderisa Moska po e shpeshton përdorimin e forcës për ta rikthyer bllokadën ndaj eksporteve të Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se një qendër e drithit u dëmtua në portin e Izmailit, pranë lumit Danub, në rajonin e Odesës. “Drithi ukrainas e ka potencialin për të ushqyer miliona njerëz në mbarë botën”- shkroi kjo ministri në rrjetin “X”, që më parë quhej “Twitter”.

Guvernatori i Odesës, Oleh Kiper, tha se nuk ka raportime për pasoja në njerëz. Ai publikoi disa fotografi ku shiheshin ekipet e zjarrfikësve duke u përpjekur që ta shuanin zjarrin në një ndërtesë të lartë pranë një lumi, raporton agjencia “Reuters”.

“Fatkeqësisht, ka dëme. Ato më të rëndësishmet janë në jug të vendit. Terroristët rusë edhe një herë i sulmuan portet, drithin, sigurinë globale të ushqimit”- shkroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në rrjetin “Telegram”.

Një burim nga fusha e industrisë gjithashtu konfirmoi se porti i Izmailit ishte në shënjestrën kryesore të sulmit, duke e përshkruar nivelin e dëmit si “serioz”.

Porti afër kufirit me Rumaninë ka shërbyer si rrugë kryesore alternative e Ukrainës për eksportimin e drithit që nga rivendosja e de-fakto bllokadës ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi në mesin e muajit të kaluar.

Çmimet e grurit në bursën e Shikagos u rritën për 4 për qind pas sulmit të së mërkurës.

Rusia në mënyrë të pamëshirshme e ka sulmuar infrastrukturën bujqësore dhe portet e Ukrainës për më shumë se dy javë, që nga refuzimi për ta vazhduar afatin e marrëveshjes për eksportimin e drithit. Moska ka kërkuar kushte më të mira për eksportimin e drithit dhe plehrave të saj, të cilat tashmë nuk përfshihen në sanksionet financiare ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme