Rusia e sulmon Dnipron e Ukrainës, të paktën nëntë të lënduar
Së paku nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, janë lënduar nga sulmi rus me raketa në dy ndërtesa të qytetit lindor ukrainas, Dnipro, sipas zyrtarëve.
Një ekip i televizionit BBC në terren konfirmoi se kati më i lartë i një blloku të madh banesor është shkatërruar gati tërësisht nga sulmi që ndodhi të premten në mbrëmje.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rusët kanë goditur edhe një ndërtesë të shërbimit të sigurisë, SBU. Ai e fajësoi “terrorin rus me raketa”.
Dnipro. Friday evening. A high-rise building and the Security Service of Ukraine's building were hit. Russian missile terror again.
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) July 28, 2023
Promptly held conversations with the Security Service of Ukraine, the Ministry of Internal Affairs, the State Emergency Service, and the military… pic.twitter.com/UulEGKjQUj
Zelensky publikoi në rrjetin “Telegram” një video ku shihej tymi duke dalë nga ndërtesat e dëmtuara dhe një zjarr në nivelin e rrugës.
Ai tha se kishte thërritur takime urgjente me SBU-në, Ministrinë e Brendshme, shërbimet emergjente dhe zyrtarët lokalë pas këtij sulmi.
Udhëheqësi rajonal. Serhiy Lysak, tha se dy fëmijë, 14 dhe 17 vjeç, ishin në mesin e të lënduarave, duke shtuar se ata ishin duke u trajtuar në shtëpi.
Nuk është raportuar për ndonjë të vdekur pas sulmit që ndodhi në orën 20 e 30 minuta sipas kohës lokale, njoftoi Lysaku.
Kryetari i qytetit Dnipro, Borys Filatov, tha se kjo ishte hera e tretë që ndërtesa e SBU-së vihet në shënjestër nga Rusia. Sipas tij, të dyja ndërtesat e goditura ishin kryesisht boshe, due shtuar se ndërtesa me banesa ishte përfunduar rishtazi dhe banesat ishin vënë në shitje.
Sulmi në Dnipro erdhi pas pretendimit të Rusisë të premten se ajo kishte penguar dy raketa ukrainase mbi rajonin jugperëndimor rus, Rostov, në kufi me Ukrainën.
Moska tha se 15 persona janë lënduar nga mbetjet që ranë në qytetin Taganrog.
