E pranon gjenerali ukrainas: Ushtria ruse shfaqi cilësi profesionale, s'na la avancim të shpejtë
Gjenerali i ngarkuar me kundërsulmin ukrainas që po çalon në pjesën jugore të vendit ka thënë se mbrojtja ruse po e bën të vështirë lëvizjen përpara të pajisjeve ushtarake të Ukrainës, përfshirë tanket dhe automjetet e tjera të blinduara që janë dhuruar nga vendet perëndimore.
Gjenerali Oleksandr Tarnavskyi thotë se forcat e tij po kanë vështirësi për t’i tejkaluar fushat e minuara me shumë shtresa dhe vijat e fortifikuara të mbrojtjes, raporton televizioni BBC.
“Për këtë arsye, shumica e detyrave duhet të kryhen nga ushtarët”- tha komandanti ukrainas.
Sipas tij, ushtria ruse ka shfaqur “cilësi profesionale” përmes parandalimit të avancimit të shpejtë të forcave ukrainase. “Unë nuk e nënvlerësoj armikun”- shtoi Tarnavskyi.
Raportimet më të reja të pakonfirmuara nga ShBA-ja lënë të kuptohet se shtytja kryesore e kundërsulmit ukrainas ka nisur. Instituti për Studimin e Luftës thotë se forcat ukrainase duket se kanë depërtuar nëpër “pozicione të caktuara të parapërgatitura ruse të mbrojtjes”.
Megjithatë, deri më tani ka pak dëshmi që tanket dhe automjetet e blinduara të dhuruara nga Perëndimi kanë mundur që ta ndryshojnë baraspeshën në mënyrë vendimtare në favor të Ukrainës.
Disa tanke “Leopard” dhe automjete luftarake “Bradley” u dëmtuan ose u shkatërruan në ditët e para të ofensivës, afër qytetit Orikhiv.
Brigada e 47-të e Ukrainës, e cila në masë të madhe ishte trajnuar e pajisur nga Perëndimi në përpjekje për t’i thyer vijat ruse, u ndal shpejt rrugës nga minat dhe pastaj u vu në shënjestër nga artileria.
Rusia publikoi shumë video, duke pretenduar se ofensiva ukrainase tashmë kishte dështuar. Në të vërtetë, ishte një hap i hershëm prapa e jo një goditje vendimtare.
Televizioni BBC vizitoi një punëtori të kësaj brigade, të fshehur në një pyll prapa vijës së frontit, ku ushtarët po mundohen që të riparojnë më shumë se dhjetë automjete të blinduara, shumica të tipit “Bradley” të prodhimit amerikan.
Serhii, njëri nga inxhinierët, tha: “Sa më shpejt që i riparojmë, aq më shpejt mund t’i kthejmë në vijën e frontit për ta shpëtuar jetën e dikujt.”
Megjithatë, ai pranoi se disa automjete nuk mund të riparohen dhe duhet të përdoren për pjesë ose t’u kthehen partnerëve për t’i rindërtuar.
Përderisa automjetet e blinduara perëndimore u kanë dhënë ushtarëve ukrainas mbrojtje më të mirë, ato nuk kanë mundur që të depërtojnë nëpër radhët e minave ruse, që janë ndër pengesat kryesore për përparimin e ukrainasve.
Duke udhëtuar nëpër frontin jugor, ekipi i BBC-së pa edhe automjete të blinduara britanike të tipit “Mastiff” që ishin dëmtuar ose shkatërruar.
Brigada e 47-të tani po përdor disa nga tanket e vjetra të periudhës sovjetike për t’i pastruar fushat nga minat. Sidoqoftë, as këto tanke nuk mund t’i shmangin minat e fshehura në tokë, as kur u vendosen pajisje të posaçme për largimin e minave.

