Për çfarë përdoret “Grerëza e Zezë”, që ShBA-ja do t’ia japë Ukrainës - NACIONALE

Për çfarë përdoret “Grerëza e Zezë”, që ShBA-ja do t’ia japë Ukrainës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar për një pako të re të ndihmave ushtarake me vlerë të 400 milionë dollarëve për Ukrainën. Në këtë pako, përpos raketave për mbrojtje ajrore dhe automjeteve të blinduara, për herë të parë përfshihen edhe mini-dronët që quhen “Grerëzat e Zeza”. Për çfarë përdoren ata?

Droni “Grerëza e Zezë” është zhvilluar nga kompania norvegjeze, “Prox Dynamics AS” dhe përdoret nga ushtritë e disa shteteve si Norvegjia, Shtetet e Bashkuara, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Algjeria, Irlanda, Australia, Holanda, Polonia, Zelanda e Re, India, Turqia, Afrika e Jugut, Ukraina dhe Maroku.

Këta dronë përdoren për ta vëzhguar situatën e për të marrë informata nga terreni i forcave të armikut.

Ky dron është aq i vogël, sa mund të mbahet në pëllëmbën e dorës. Është i gjatë 16 centimetra dhe i gjerë vetëm 2,5 centimetra. Peshon vetëm 18 gramë, bashkë me bateri.

Droni është i pajisur me kamerë e cila operuesit i ofron fotografi dhe video. Një person mund të trajnohet për vetëm 20 minuta për ta përdorur dronin e vogël.

Droni ka tri kamera: një në pjesën e përparme, një me drejtim të drejtpërdrejtë poshtë dhe një në drejtimin poshtë me kënd prej 45 shkallësh.

Shpejtësia maksimale e fluturimit është 21 kilometra në orë, ndërsa koha e mbushjes së baterisë në nivelin 90 për qind është 20 deri në 25 minuta, aq sa droni mund të qëndrojë në ajër me një mbushje.

Ky dron është përdorur nga forcat britanike në Afganistan dhe tashmë është duke u përdorur në Ukrainë, ku janë dërguar si pjesë e donacioneve britanike e norvegjeze.

Kompania “FLIR Unmanned Aerial Systems” në prill fitoi kontratë me vlerë të 93 milionë dollarëve për ta furnizuar ushtrinë amerikanë me dronë të këtij lloji.

Lajme të ngjashme