Ukraina raporton për përparime të vogla kundër forcave ruse
Ushtria ukrainase të martën raportoi se kishte bërë përparime të vogla kundër forcave ruse në disa pjesë në jug të Ukrainës dhe në jug të qytetit Bakhmut, në lindje të vendit.
Andriy Kovaliov, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm, tha se trupat ukrainase kishin lëvizur përpara në drejtim të fshatit juglindor, Staromayorske, afër vendbanimeve të rimarra nën kontroll nga Ukraina muajin e kaluar në rajonin e Donetskut, raporton agjencia “Reuters”.
Sipas këtij zëdhënësi, ushtarët ukrainas ishin duke i përforcuar pozicionet që i kishin marrë, edhe pse forcat ruse ishin duke bërë rezistencë të fuqishme.
Kovaliovi shtoi se ushtarët ukrainas në lindje të vendit i kishin larguar njësitet ruse nga pozicionet afër fshatit Andrivka, i cili shtrihet në jugperëndim të qytetit të shkatërruar shumë nga luftimet, Bakhmut, të cilin forcat ruse e kapën në maj.
Ai tha se forcat ukrainase ishin duke kryer operacione sulmuese edhe në pjesët veriore e jugore të Bakhmutit.
E ndihmuar me armë të aleatëve perëndimorë, Ukraina ka rimarrë mbi 192 kilometra katrorë tokë në jug dhe 35 kilometra katrorë në lindje që nga fillimi i kundërsulmit, tha të hënën një zyrtar i lartë i mbrojtjes.
Rusia ende mban nën kontroll territor të madh të Ukrainës 17 muaj pas fillimi të pushtimit të plotë rus dhe nuk ka pranuar publikisht që Ukraina ka shënuar përparim gjatë kundërsulmit.
Agjencia “Reuters” nuk ka mundur t’i vërtetojë zhvillimet në fushën e betejës.
