Raportohet për katër palestinezë të vrarë nga Izraeli në Bregun Perëndimor
Katër palestinezë janë vrarë dhe rreth 20 të tjerë janë lënduar nga forcat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Kjo ministri tha në një deklaratë të shkurtër se tre persona u vranë dhe 19 u plagosën, prej të cilëve tre seriozisht, nga të shtënat e forcave izraelite gjatë një bastisjeje të martën herët në qytetin Nablus të Bregut të pushtuar Perëndimor, raporton gazeta “The Guardian”.
Ministria më vonë tha se një palestinez tjetër është vrarë nga zjarri izraelit, kësaj radhe në Ramallah, qendër e Autoritetit Palestinez të Mahmoud Abbas-it, në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor.
Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë dhe sigurisë, njëri nga burrat e vdekur ishte i paarmatosur.
Ushtria izraelite konfirmoi në një deklaratë të përbashkët me policinë dhe agjencitë e inteligjencës se ato kanë kryer një operacion të gjerë gjatë natës në Nablus, duke thënë se është bastisur një banesë për fshehje, që përdorej si qendër dhe si vend për prodhimin e mjeteve shpërthyese.
“Ky vend përdorej nga operuesit kryesorë të grupit terrorist “Strofulli i Luanit”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar një grupi të ri të luftëtarëve të rinj palestinezë, të cilët kanë kryer operacione kundër Izraelit në Nablus në javët e fundit.
“Gjatë aktivitetit, disa të dyshuar të armatosur janë goditur dhe raportimet palestineze japin shenja për lëndime të shumta”, thuhet më tej në deklaratë.
Qyteti Nablus, që shtrihet në verilindje të Bregut Perëndimor, ka qenë pikë e dhunës që nga fillimi i një fushate izraelite të shtypjes së grupeve të armatosura në Bregun Perëndimor në mars si kundërpërgjigje ndaj një vargu të sulmeve nga palestinezët në Izrael.

