Raporti i OKB-së: Deri në 15 mijë viktima nga vrasjet etnike vjet në një qytet të Sudanit
Mes 10 mijë e 15 mijë njerëz u vranë në një qytet të rajonit të Darfurit Perëndimor në Sudan vitin e kaluar gjatë dhunës nga Forcat e Reagimit të Shpejtë dhe grupet aleate militante arabe, sipas një raporti të OKB-së, të cilin e ka parë agjencia “Reuters”.
Në raportin e dorëzuar në Këshillin e Sigurimit, vëzhguesit e pavarur të sanksioneve të OKB-së thanë se shifrën e të vrarëve në El Geneina e kanë mbështetur në burime të inteligjencës dhe e vunë atë në kontrast me vlerësimin e OKB-së për rreth 12 mijë njerëz të vrarë në mbarë Sudanin që nga shpërthimi i luftës më 15 prill 2023, mes ushtrisë së Sudanit dhe Forcave të Reagimit të Shpejtë, raporton agjencia “Reuters”.
“Sulmet ishin të planifikuara, të bashkërenduara dhe të ekzekutuara nga Forcat e Reagimit të Shpejtë dhe grupet militante arabe aleate”- thuhet në raportin vjetor të vëzhguesve të sanksioneve, dorëzuar në Këshillin e Sigurimit.
Vëzhguesit i përshkruan edhe ato që i quajtën akuza “të besueshme” se Emiratet e Bashkuara Arabe u kishin dhënë përkrahje ushtarake Forcave të Reagimit të Shpejtë “disa herë në javë” përmes Amdjarass-it, qytet në veri të Çadit. Një gjeneral i lartë sudanez i akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe në nëntor për përkrahje të luftës së Forcave të Reagimit të Shpejtë.
Në një letër dërguar vëzhguesve, Emiratet e Bashkuara thanë se përmes 122 fluturimeve ishin dërguar ndihma humanitare në Amdjarass për t’i ndihmuar sudanezët që po iknin nga lufta. Kombet e Bashkuara thonë se rreth 500 mijë njerëz janë larguar nga Sudani e janë vendosur në lindje të Çadit, disa qindra kilometra në jug të qytetit Amdjarass.
Mes prillit e qershorit të vitit të kaluar, qyteti El Geneina përjetoi “dhunë intensive”, shkruajnë vëzhguesit, duke i akuzuar Forcat e Reagimit të Shpejtë dhe aleatët e tyre për shënjestrim të fisit afrikan, Masalit, në sulmet që “mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.
Forcat e Reagimit të Shpejtë më parë i kanë mohuar akuzat dhe kanë thënë se cilido ushtar që zbulohet se ka qenë i përfshirë, do të ballafaqohet me drejtësinë. Sidoqoftë, kjo forcë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment agjencisë “Reuters”.