“Qyteti humanitar” i planifikuar në Gaza do të ishte “kamp përqendrimi”, thotë ish-kryeministri izraelit - NACIONALE

“Qyteti humanitar” i planifikuar në Gaza do të ishte “kamp përqendrimi”, thotë ish-kryeministri izraelit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Një “qytet humanitar” i planifikuar në Gaza me qëllim të strehimit të qindra mijëra palestinezëve do të ishte “kamp përqendrimi”, ka paralajmëruar ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Olmert.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha javën e kaluar se i kishte thënë ushtrisë që t’i avanconte planet për atë zonë, në të cilën në fund do të vendosej tërë popullsia e Gazës. Qyteti do të ndërtohej mbi rrënojat e qytetit Rafah në jug të Gazës dhe, porsa palestinezët të hynin aty, nuk do t’u lejohej largimi. Katzi është zotuar se do të zbatojë një plan për largimin e palestinezëve nga Gaza, raporton televizioni CNN.

“Është një kamp përqendrimi. Më vjen keq” – i tha Olmerti gazetës “The Guardian” të dielën. “Nëse ata (palestinezët) do të dëbohen në “qytetin humanitar” të ri, atëherë mund të thuhet se kjo është pjesë e një spastrimi etnik” – shtoi ai.

Televizioni CNN ka kërkuar koment nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Olmerti më parë i ka kritikuar sjelljen e ushtrisë izraelite në Gaza si dhe udhëheqjen politike të vendit. Në maj, ai tha se nuk mund ta mbronte më Izraelin nga akuzat për krime lufte. “Çfarë është kjo, nëse jo krim lufte” – pyeti ai në mënyrë retorike në një intervistë me televizionin CNN. Ai shtoi se kryeministri Netanyahu dhe anëtarët me bindje të së djathtës ekstreme në kabinetin qeveritar janë “duke kryer veprime që nuk mund të interpretohen në ndonjë mënyrë tjetër”.

Më shumë se 58 mijë njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës mes Izraelit e Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze.

Komentet e reja të Olmertit, i cili ka shërbyer si kryeministër i Izraelit në periudhën 2006 – 2009, shkojnë shumë përtej kritikës ndaj qëllimeve të vendit në Gaza, sidomos duke e marrë parasysh faktin që krahasimet me kampet naziste të përqendrimit në Izrael konsiderohen pothuajse të paimagjinueshme. Sidoqoftë, ish-kryeministri tha se ky është “interpretimi i pashmangshëm” i planeve për vendosjen e banorëve të Gazës në një zonë.

Planet e ministrit Katz për atë që ai e quajti “qytet humanitar” u diskutuan në një takim me Netanyahun të dielën në mbrëmje, sipas një burimi të afërt me çështjen. Megjithatë, pasi mediat izraelite raportuan se do të nevojiteshin muaj dhe miliarda dollarë për ta ndërtuar atë zonë, burimi tha se Netanyahu kërkoi që ndërtimi të bëhet për një kohë më të shkurtër dhe të kushtojë më pak./Nacionale

Lajme të ngjashme