Qeveria amerikane merr mbi 500 raportime për UFO, qindra nga to të pashpjegueshme
Sipas një raporti të publikuar të enjten, qeveria amerikane është duke shqyrtuar 510 raportime për UFO, më shumë se trefishi i numrit që ishte në dosjen e vitit 2021.
E ndërsa shumë prej tyre janë identifikuar si dronë ose balona, sipas raportit, qindra të tjera kanë mbetur të pashpjegueshme.
Raporti i vitit 2022 nga Drejtori i Inteligjencës Kombëtare (DNI) zbuloi se kishte të dhëna për 144 objekte të dyshimta ajrore, ndërsa tregon për “247 dukuri anormale të paidentifikuara”. Përveç kësaj, në raport flitet edhe për 119 raportime të tjera të mëparshme, duke krijuar një total prej 510.
Më tej, është bërë e ditur se shumica e raportimeve të reja, kanë ardhur nga pilotët e marinës dhe forcave ajrore amerikane.
Sipas të dhënave të publikuara, për rreth 200 të raportimeve kishte shpjegime: ishin balona, dronë ose të ashtuquajtura rrëmujë ajrore – ky hyjnë zogjtë, ngjarje të motit apo qese plastike në ajër.
Megjithatë, sipas dokumentit të DNI—së, raportimet e tjera për UFO nuk janë shpjeguar dhe janë fokus i ekzaminimeve nga Pentagoni, agjencitë e inteligjencës amerikane dhe NASA, për shqetësimet jo se ato janë anije kozmike aliene, por se mund të jenë aftësi të panjohura spiunazhi të vendeve rivale.
Raporti mbi UFO-t, erdhi pas disa vitesh presioni nga Kongresi që ushtria dhe komuniteti i inteligjencës të merrte më seriozisht ato që quheshin më parë UFO, ose objekte fluturuese të paidentifikuara.
Sipas The Guardian, ushtria amerikane është e shqetësuar se disa nga ‘UFO’-të, e vërejtura nga pilotët ushtarakë në të kaluarën mund të përfaqësojnë teknologji të rivalëve strategjikë, të panjohura për shkencëtarët amerikanë.

