Putini po rrit forcat e armatosura ruse, ata do të kenë mbi 2 milionë ushtarë
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi sot një vendim për rritjen e forcave të armatosura ruse nga 1.9 milionë në 2.04 milionë anëtarë, pasi lufta në Ukrainë hyn në muajin e saj të shtatë.
Moska nuk ka njoftuar se sa viktima ka pësuar në luftën në Ukrainë që nga javët e para të saj, por zyrtarët perëndimorë dhe qeveria në Kiev thonë se ato janë në mijëra.
Vendimi hyn në fuqi më 1 janar
Vendimi i ri do të rrisë numrin e ushtarëve që marrin pjesë në luftime me 137,000 në 1.15 milionë. Vendimi hyn në fuqi më 1 janar, sipas dekretit presidencial të publikuar në portalin legjislativ të qeverisë.
Hera e fundit që Putin mori një vendim për të shtuar ushtrinë ruse ishte në nëntor 2017, kur numri i trupave luftarake u rrit nga 1.01 milion, në gjithsej 1.9 milion anëtarë të forcave të armatosura, përfshirë joluftëtarët.
Ushtarët rusë të vrarë në Ukrainë
Në javët e para të pushtimit të Ukrainës, Rusia njoftoi vetëm 1351 ushtarë rusë u vranë dhe nuk ka nxjerrë asnjë të dhënë të re që atëherë. Ekspertët perëndimorë vlerësojnë se shifra reale mund të jetë të paktën 10 herë më e lartë, ndërsa Ukraina pretendon se të paktën 45,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
Kievi gjithashtu heziton të flasë për viktimat e tij, por të hënën shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, gjenerali Valery Zaluzhnyi, tha se pothuajse 9,000 ushtarë ukrainas kishin vdekur.
Sipas raportit vjetor të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në fillim të vitit Rusia kishte 900,000 ushtarë aktivë dhe dy milionë rezervistë që kishin shërbyer në pesë vitet e fundit. /Nacionale/