Putini me vendim të ri, do të rrisë numrin e forcave të armatosura me mbi 137 mijë - NACIONALE

Putini me vendim të ri, do të rrisë numrin e forcave të armatosura me mbi 137 mijë

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret për të shtuar më shumë se 137,000 personel shërbimi në forcat e armatosura të vendit.

Aktualisht Rusia ka pak më shumë se një milion personel ushtarak dhe pothuajse 900,000 staf civil.

Sipas BBC-së, dekreti i ri vjen në mes të një përpjekjeje rekrutimi në të gjithë vendin, me stimuj të mëdhenj parash që ofrohen. Madje, ka pasur raporte se rekrutuesit kanë vizituar edhe burgjet, duke u premtuar të burgosurve liri dhe para.

Zyrtarët perëndimorë thonë se që kur Rusia pushtoi Ukrainën, në luftime janë vrarë ose plagosur 70-80,000 trupa rusë.

Rreth dy javë më parë, ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha në një deklaratë se batalionet vullnetare që po ngriheshin në disa rajone ruse ka të ngjarë të jenë pjesë e një korpusi të ri të ushtrisë.

Në fillim të pushtimit të Ukrainës, Rusia premtoi një një fushatë të shkurtër dhe vendimtare, por rezistenca e ashpër ukrainase ka bërë që përparimi i saj të ngecë.

Vullnetarë apo rekrutë?

Dekreti, i publikuar nga zyra e presidentit rus (në rusisht), përcakton se "përmasat numerike të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse duhet të shkojnë në 2,039,758, duke përfshirë 1,150,628 personel ushtarak".

Më parë në forcat e armatosura kishte 1,013,628 personel ushtarak.

Dekreti i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2023, poashtu i kërkon qeverisë të sigurojë fonde nga buxheti federal për këtë qëllim.

Megjithatë, nuk është ende e qartë nëse numrat do të rriten duke rekrutuar më shumë vullnetarë apo duke zgjeruar rekrutimin.

Aktualisht, burrat rusë të moshës 18 deri në 27 vjeç i nënshtrohen thirrjes, megjithëse shumë prej tyre janë në gjendje të shmangin ose reduktojnë afatin e shërbimit të tyre - zakonisht një vit - përmes përjashtimeve mjekësore ose duke u regjistruar në arsimin e lartë.

Rusia fillimisht mohoi dërgimin e ushtarëve të rekrutuar në Ukrainë, por më pas u zbuluan raste të shumta të rekrutëve që ishin detyruar të nënshkruanin kontrataa dhe në disa raste ishin kapur rob.

Sipas ligjit rus, rekrutëve u kërkohet t'i nënshtrohen trajnimit katër muaj përpara se të dërgohen në një luftë.

Lajme të ngjashme