Në krizë për ushtarë, Rusia e dëshpëruar fton burrat t'i bashkohen ushtrisë me altoparlant - NACIONALE

Në krizë për ushtarë, Rusia e dëshpëruar fton burrat t'i bashkohen ushtrisë me altoparlant

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Qyteti i Volosovos, afër Shën Petersburgut, është duke lulëzuar. Jo nga ekonomia, por nga altoparlantët.

Ashtu si shumë qytete në Rusi, Volosovo ka altoparlantë të instaluar në shtylla të larta përgjatë rrugës kryesore. Tradicionalisht ato përdoren për muzikë patriotike gjatë festave kombëtare. Megjithatë, tani po përdoren për një qëllim tjetër.

"Po krijohen dy batalione artilerie vullnetare. Ne ftojmë burra nga 18 deri në 60 vjeç të bashkohen," zhurmojnë folësit.

BBC raporton se, ky është një mesazh që po përsëritet lart e poshtë këtij qyteti të madh. Përveç kësaj metode, burrave po u kërkohet të nënshkruajnë kontrata afatshkurta me ushtrinë për të luftuar në Ukrainë edhe në mediat sociale, në TV e në tabela të rrugëve.

Pasi, përballë humbjeve të konsiderueshme në konflikt, autoritetet kanë nisur një aksion rekrutimi për ushtrinë ruse.

Edhe pse Rusia nuk jep numra, zyrtarët perëndimorë thonë se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, gjashtë muaj më parë, janë vrarë ose plagosur midis 70,000 dhe 80,000 trupa ruse.

E për të tërhequr rekrutët e rinj, autoritetet po u ofrojnë vullnetarëve shuma të mëdha parash, parcela toke dhe madje edhe vende premium për fëmijët e tyre në shkollat ​​ruse.

Bëhet e ditur se rekrutuesit kanë vizituar edhe burgjet ruse për të regjistruar të burgosurit, duke u premtuar atyre liri dhe para në këmbim të pjesëmarrjes në luftë.

Gazetari investigativ Roman Dobrokhotov thotë për BBC-në se, nxitja e rekrutimit është një shenjë dëshpërimi nga ana e autoriteteve:

"Ky nuk është lloji i ushtarëve që duhen për një luftë fitimtare. Kremlini ende shpreson se sasia mund të fitojë mbi cilësinë. Që ata mund t'i marrin këto qindra mijëra njerëz të dëshpëruar me borxhet e tyre dhe thjesht i hedhin në zonën e konfliktit”.

Pavarësisht sasive të mëdha të parave që ofrohen për rekrutët e mundshëm - deri në 5,700 dollarë në muaj në disa raste - Roman thotë se realiteti është i ndryshëm.

"Njerëzit në fakt nuk i shohin këto para," thotë ai. "Ata po kthehen nga Ukraina tani dhe po u tregojnë gazetarëve se si u mashtruan. Kjo po ndikon gjithashtu në situatë, në këtë mungesë besimi në qeverinë tonë, kështu që nuk mendoj se kjo strategji do të jetë e suksesshme."

Megjithatë, ka nga ata që janë të lumtur t’i bashkohen luftës.

Djali i Nina Çubarinës, Yevgeny, la fshatin e tyre në rajonin verior të Karelia për t'u bashkuar me një batalion vullnetar. Nina thotë se djalit të saj, i cili nuk kishte përvojë ushtarake, iu dha një armë dhe u dërgua direkt në Ukrainë.

Ai u vra vetëm disa ditë më vonë. Ai ishte 24 vjeç.

Nina thotë se e kishte lutur djalin e sja të mos shkoj në luftë.

"U përpoqa ta ndaloja. Qava. I thashë: "Ka luftë, do të vritesh!" Ai tha: "Mami, gjithçka do të jetë mirë".

Nina është kritike për mënyrën se si autoritetet rekrutojnë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë.

"Ata thjesht i dërgojnë si pula të vogla memece! Ata mezi kanë mbajtur një armë më parë. Janë mish për top. Gjeneralët mendojnë, "Kemi një vullnetar: shkëlqyeshëm, shko!"

Por, jo të gjithë janë aq të etur për t'u regjistruar sa Yevgeny.

Duke udhëtuar nëpër këtë vend, gaztari i BBC-së thotë se nuk është përshtypja se populli rus është i gjithi mbështetës i "operacionit special ushtarak", siç i pëlqen ta quajë Kremlini.

Numri i makinave në rrugët ruse që shfaqin simbolin "Z" pro luftës është ende relativisht i vogël, ndërsa ekspertët thonë se numri i vullnetarëve që bashkohen është i ulët.

Analisti ushtarak Pavel Luzin thotë se njerëzit nuk janë gati të sakrifikojnë veten për presidentin e tyre.

"Problemi për Kremlinin është se shumica e njerëzve rusë nuk do të vdesin për Putinin ose për rivendosjen e 'Perandorisë së madhe'. Rekrutimi nuk është i mundur, sepse nuk ka konsensus civil në Rusi për luftën."

"Krahasojeni këtë me Ukrainën. Ukrainasit janë gati të luftojnë," thotë ai.

Lajme të ngjashme