Perëndimi bën thirrje për përmbajtje ushtarake rreth centralit bërthamor të Ukrainës
Presidenti i ShBA-së Joe Biden, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Boris Johnson më 21 gusht kanë kërkuar përmbajtje ushtarake rreth uzinës bërthamore të Zaporizhzhya të pushtuar nga Moska në Ukrainë, ndërsa përsëritën mbështetjen e tyre për Kievin në luftë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, në një telefonatë të realizuar, katër liderët gjithashtu bënë thirrje për një "vizitë të shpejtë" në vendin bërthamor nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Centrali bërthamor i Zaporizhzhya u pushtua nga Rusia në mars.
Centrali - më i madhi në Evropë, javët e fundit është vënë vazhdimisht nën sulm, duke shkaktuar frikë për një fatkeqësi bërthamore, me palët që e kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e uzinës.
"Udhëheqësit konfirmuan mbështetjen e tyre të vazhdueshme për përpjekjet e Ukrainës për t'u mbrojtur kundër agresionit rus. Ata diskutuan gjithashtu situatën në centralin bërthamor të Zaporizhzhya, duke përfshirë nevojën për të shmangur operacionet ushtarake pranë tij dhe rëndësinë e një vizite të IAEA sa më shpejt të jetë e mundur për të konstatuar gjendjen e sistemeve të sigurisë”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Deklarata shtoi gjithashtu se katër liderët diskutuan "negociatat e vazhdueshme mbi programin bërthamor të Iranit, nevojën për të forcuar mbështetjen për partnerët në rajonin e Lindjes së Mesme dhe përpjekjet e përbashkëta për të penguar dhe kufizuar aktivitetet destabilizuese rajonale të Iranit".
Biseda mes liderëve vjen disa ditë pasi Bashkimi Evropian paraqiti një projekt-tekst "përfundimtar" që synonte të shpëtonte marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që ish-presidenti i ShBA Donald Trump e braktisi në 2018. E ndërkohë që Teherani a dërguar tashmë përgjigjen ndaj këtij teksti, Shtetet e Bashkuara thanë se do të ndajnë pikëpamjen e tyre për përgjigjen iraniane me BE-në privatisht.