Putin për vrasjen e Darya Dugina: Krim i poshtër e mizor - NACIONALE

Putin për vrasjen e Darya Dugina: Krim i poshtër e mizor

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Presidenti rus Vladimir Putin i ka dërguar “ngushëllimet e sinqerta” familjes së Darya Dugina-s.

Në një mesazh të lëshuar nga Kremlini, Putini e quan vdekjen e saj një "krim të poshtër, mizor" dhe e përshkruan Darya-n si "një person të zgjuar, të talentuar me një zemër të vërtetë ruse - e sjellshme, e dashur, simpatike dhe e hapur".

Darya Dugina vdiq pasi i eksplodoi vetura derisa po e ngiste drejt shtëpisë, ndërsa besohet se babai i saj, filozofi rus Alexander Dugin, i cili njihet "truri i Putinit", mund të ketë qenë cak i sulmit.

Alexandr Dugin dhe bija e tij ishin ftuar si mysafirë nderi në një festival afër Moskës, ku filozofi do të jepte fjalim.

Festivali "Tradita" përshkruan veten si festival familjar për artdashësit. Ndërsa, pritej që dyshja të udhëtonte bashkë në të njëjtën makinë pas eventit, të shtunën mbrëma, para se Dugin të merrte vendimin të udhëtonte ndaras nga e bija në minutën e fundit.

Kujtojmë se për vrasjen e Dugina-s, vajza e ideologut ultra-nacionalist Alexandr Dugin - Rusia ka akuzuar shërbimet speciale të Ukrainës, diçka që vendi e ka mohuar.

Këshilltari kryesor i Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak, përmes një deklarate televizive është shprehur se vendi nuk ka asnjë lidhje me vdekjen e Dugina-s.

Podolyak u shpreh se: "Unë konfirmoj se Ukraina, natyrisht, nuk kishte asnjë lidhje me këtë, sepse ne nuk jemi një shtet kriminal, si Federata Ruse, dhe për më tepër ne nuk jemi një shtet terrorist".

Nga deklarata e tij, dukej se për këtë vrasje ai fajësoi luftërat e brendshme për pushtet midis "fraksioneve të ndryshme politike" në Rusi, duke sugjeruar se incidenti ishte shpagimi "karmik" për mbështetësit e veprimeve të Rusisë në Ukrainë.

Sa i përket babait të Darya-s, Alexandr, media të ndryshme kanë raportuar se pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të jetë frymëzuar nga shkrimet e tij - një mistik neo-nazist i njohur si "Rasputini i Putinit" ose "Truri i Putinit".

The Sun shkruan se, mendimtari rus Aleksandr Dugin ka bërë thirrje prej kohësh për një pushtim të Ukrainës, duke besuar se Moska ka të drejtë të sundojë mbi të gjithë Evropën dhe Azinë.

Poashtu, besohet se Aleksandr ka një ndikim të fshehtë mbi politikën ruse, duke ndikuar me idetë e tij edhe te Vladimir Putin.

Lajme të ngjashme