Putin: Ndoshta do të tërhiqemi sërish nga marrëveshja për grurin ukrainas
Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se Rusia rezervon të drejtën të tërhiqet sërish nga marrëveshja ndërkombëtare për eksportin e drithit ukrainas përmes Detit të Zi, të cilës u kthye sot pas tërheqjes, siç pretendon Moska, për shkak të sulmeve me dronë në flotën e Detit të Zi, pranë Krimesë.
“Ne kërkuam garanci nga pala ukrainase se diçka si sulmi në Krime nuk do të ndodhë më kurrë dhe se korridoret humanitare nuk do të përdoren për qëllime ushtarake”, tha Putin në një takim të Këshillit të Sigurimit rus.
"Ne rezervojmë të drejtën të tërhiqemi nga marrëveshja"
"Nga pala turke erdhën informacione përmes Ministrisë së Mbrojtjes se Ukraina ka dhënë garanci se korridoret humanitare nuk do të përdoren për qëllime ushtarake. Kjo është arsyeja pse unë i dhashë një urdhër Ministrisë së Mbrojtjes që të vazhdojë pjesëmarrjen e Rusisë në marrëveshje," tha Putin.
“Në të njëjtën kohë, Rusia rezervon të drejtën të tërhiqet nga marrëveshja nëse Ukraina shkel garancitë”, shtoi presidenti rus. /Nacionale/