Punëtorët e ndihmave: Fëmijët në Somali po vdesin nga uria para syve tanë - NACIONALE

Punëtorët e ndihmave: Fëmijët në Somali po vdesin nga uria para syve tanë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Punëtorët e organizatave humanitare në Somali kanë thënë se fëmijët po vdesin urie para syve të tyre. Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se vetëm një rritje e shpejtë dhe masive e fondeve humanitare mund ta shpëtojë shtetin e varfër afrikan nga uria masive.

Në një mesazh për udhëheqësit e vendeve të Grupit G7, të cilët do të takohen nga e diela në Gjermani, drejtori rajonal i Programit Botëror të Ushqimit për Afrikën Lindore, Michael Dunford, tha se qeveritë duhet të dhurojnë ndihma urgjentisht dhe pa u kursyer, nëse duan që të ruhet shpresa për shmangien e katastrofës në Somali.

“Na duhen të holla dhe na duhen tani. A do të mund ta shmangim (urinë masive në Somali)? Përderisa nuk ka rritje masive nga tash, nuk do të jetë e mundshme, sinqerisht. Në këtë pikë, e vetmja mënyrë është nëse ka investim masiv në ndihma humanitare dhe të gjitha palët, të gjithë partnerët të bëhen bashkë në përpjekje që të shmanget kjo”, tha ai.

Briri i Afrikës, siç njihet ndryshe Afrika Lindore, është ballafaquar me mungesë të katër periudhave të reshjeve dhe është goditur nga thatësia më e madhe në katër dekadat e fundit. Situata është përkeqësuar nga konflikti i vazhdueshëm dhe rritja e çmimeve të ushqimit, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë.

Vitin e kaluar, Britania e Madhe dhe vendet e tjera të Grupit G7 premtuan se do të dhuronin 7 miliardë dollarë për t’u ndihmuar vendeve të varfra që ta shmangin urinë masive, por me apelet për ndihmë për Afrikën Lindore nuk është arritur grumbullimi i fondeve të mjaftueshme për ta luftuar urinë.

Tani, udhëheqësve të njëjtë po u bëhet thirrje që të premtojnë pako të menjëhershme të fondeve, kur Somalia, shteti më i prekur, po shkon drejt katastrofës. Në një vizitë në këtë vend, Clarie Sanford, nëndrejtoreshë për çështje humanitare në organizatën “Save the Children”, tha se takoi nëna që tashmë kishin varrosur disa fëmijë të tyre vitin e kaluar dhe se fëmijët që u kishin mbijetuar, tash po vuanin nga kequshqyerja e rëndë.

“Mund të them sinqerisht se në 23 vitet e shërbimit tim në kriza humanitare, kjo është bindshëm më e keqja që kam parë, sidomos në aspektin e nivelit të ndikimit te fëmijët. Vdekja nga uria në Somali, për të cilën kolegët e mi dhe unë kemi qenë dëshmitarë, ka eskaluar edhe më shpejtë sesa jemi frikësuar”, shtoi ajo.

Në vitin 2011, mbi 250 mijë njerëz vdiqën në Somali nga uria masive. Shumica e viktimave ishin fëmijë. Sidoqoftë, zonja Sanford tha se shumë njerëz që i ka takuar, i kanë thënë se kushtet tani janë edhe më të rënda se para një dekade./Nacionale

Lajme të ngjashme