Pse ShBA do të dërgojë një nëndetëse të armatosur me 80 koka bërthamore në Korenë e Jugut? - NACIONALE

Pse ShBA do të dërgojë një nëndetëse të armatosur me 80 koka bërthamore në Korenë e Jugut?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë kësaj jave presidenti i ShBA-së dhe ai i Koresë së Jugut njoftuan një marrëveshje historike për të penguar agresionin e Koresë së Veriut, me një detaj që ka rënë shumë në sy.

Akti kryesor i “Deklaratës së Uashingtonit”, ishin planet për të vendosur një nëndetëse të armatosur bërthamore amerikane në Korenë e Jugut për herë të parë që nga viti 1981, dhe një sërë masash të tjera që mund ta bëjën Phenianin të mendojë dy herë para se të nisë ndonjë sulm bërthamor drejt fqinjit të tij.

"Traktati ynë i mbrojtjes së ndërsjellë është i veshur me hekur dhe përfshin angazhimin tonë për të zgjeruar një parandalim - dhe kjo përfshin kërcënimin bërthamor, parandalimin bërthamor," – u shpreh presidenti i ShBA-së Joe Biden në një konferencë të përbashkët me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol.

Por, ndërsa kjo marrëveshje ka vlerë të madhe simbolike, CNN shkruan se disa ekspertë kanë vënë në dyshim nëse ka ndonjë kuptim si veprim ushtarak.

Sipas medias amerikane, disa thonë se nëndetëset janë të afta ta godasin Korenë e Veriut nga mijëra kilometra larg, e të tjerë argumentojnë se dërgimi i nëndetëses në një vizitë - shumë publike - në portin e huaj vetëm komprometon efektivitetin e një arme të krijuar për vjedhje.

Ja çfarë duhet të dini për nëndetësen dhe pse po shkon drejt Koresë së Jugut.

Quhet 'boomer'

Marina amerikane ka 14 nëndetëse raketash balistike të klasit Ohio (SSBN), tetë me bazë në shtetin Uashington dhe gjashtë në Gjeorgji.

Nëndetëset, të quajtura zakonisht "boomers", kanë një zhvendosje prej më shumë se 18,000 tonë kur zhyten në ujë dhe secila fuqizohet nga një reaktor i vetëm bërthamor.

Marina thotë se një nëndetëse e klasës Ohio është projektuar për të kaluar mesatarisht 77 ditë në det, e ndjekur nga 35 ditë në port për mirëmbajtje. Nëndetëset kanë nga dy ekuipazhe secila - të quajtura ekuipazhet "blu" dhe "artë" - dhe këto rrotullohen në mënyrë që të marrin pushimin dhe stërvitjen e duhur midis patrullave.

Çfarë armësh mbajnë?

Secila nga nëndetëset e klasës Ohio mban një maksimum prej 20 raketash balistike Trident II. Këto raketa kanë një rreze prej 7,400 kilometra, që do të thotë se janë në gjendje të godasin një objektiv në Korenë e Veriut nga zona të gjera të oqeaneve të Paqësorit, Indianit ose Arktikut.

“Ushtarakisht, (këto nëndetëse) nuk kanë nevojë të jenë askund afër Koresë për të arritur objektivat e mundshëm atje,”- është shprehur Blake Herzinger, një studiues në Qendrën e Studimeve të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, Iniciativa e Kërcënimeve Bërthamore në Qendrën James Martin për Studimet e Mospërhapjes vlerëson se çdo raketë Trident mund të mbajë katër koka bërthamore, që do të thotë se çdo nëndetëse raketore balistike amerikane mund të mbajë rreth 80 koka bërthamore.

Me fjalë të tjera, një nëndetëse e vetme e armatosur me Trident mund të shkatërrojë të gjithë Korenë e Veriut.

Pse të dërgohet një nëndetëse në Korenë e Jugut?

Analistët thonë se prania e një nëndetësje me raketa balistike të marinës amerikane në një port të Koresë së Jugut do të ishte thjesht simbolike – dhe në fakt do të zvogëlonte vlerën ushtarake të nëndetëses.

"Parandalimi bërthamor kërkon që, megjithëse kundërshtari e di për ekzistencën dhe shkallën e armëve të shtetit bërthamor, ai nuk mund të dijë shtrirjen ose vendndodhjen e saktë të aftësive ose kur ato mund të përdoren,"- ka thënë Daniel Post nga Marina e ShBA-së, gjatë muajit janar.

"Nëse Kim Jong Un po kërkonte të bënte një goditje të befasishme, ne i kemi dhënë atij vendndodhjen e nëndetëses dhe kohën që ajo do të jetë atje,"- ka thënë një ekspert tjetër.

Thjesht simbolike?

Analistët thonë se ShBA-ja dëshiron të sigurojë një nga aleatët e saj më të rëndësishëm se i qëndron mbrapa.

Kim Jong Un ka ndërtuar forcat raketore të Koresë së Veriut me aftësi bërthamore, duke i testuar ato me një shkallë rekord në vitin 2022. Madje, në një fjalim të mbajtur natën e Vitit të Ri, udhëheqësi i Koresë së Veriut bëri thirrje për një "rritje eksponenciale" të arsenalit të armëve bërthamore të vendit të tij në përgjigje ndaj atyre që ai pretendon se janë kërcënime nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.

Kërcënimet e Kim kanë bërë që disa në Korenë e Jugut të bëjnë thirrje që Seuli të bëhet vetë një fuqi e armatosur bërthamore. E ndërsa ShBA nuk dëshiron të shohë përhapjen bërthamore në gadishull, është përpjekur të qetësojë aleatin e saj duke i bërë forcat e saj më të dukshme në zonë, përfshirë fluturimin e bombarduesve B-52 me aftësi bërthamore në qiejt rreth Koresë së Jugut.

Lajme të ngjashme