ShBA-ja dhe Koreja Jugore arrijnë marrëveshje për fuqizimin e mbrojtjes bërthamore - NACIONALE

ShBA-ja dhe Koreja Jugore arrijnë marrëveshje për fuqizimin e mbrojtjes bërthamore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të mërkurën u zotuan se do t’i japin Koresë Jugore më shumë të dhëna për planifikimin e tyre bërthamore për ndonjë konflikt të mundshëm me Korenë Veriore mes shqetësimit për rritjen e arsenalit bërthamor të fqinjit armiqësor.

Njoftimi, i cili përfshiu një zotim të përsëritur nga Seuli se nuk do të zhvillojë bombë të veten bërthamore, doli nga bisedimet në Shtëpinë e Bardhë mes presidentëve Joe Biden e Yoon Suk Yeol, gjatë të cilave u diskutua për Korenë Veriore, çipat gjysmëpërçues, tregtinë dhe luftën në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.

Në një konferencë të përbashkët për gazetarë, presidenti korean tha se ai dhe Bideni janë pajtuar për hapat për fuqizimin e mbrojtjes së Koresë Jugore si kundërpërgjigje ndaj rrezikut të paraqitur nga Koreja Veriore.

“Vendet tona janë pajtuar për konsultime të menjëhershme dypalëshe presidenciale në rast të sulmit bërthamor nga Koreja Veriore dhe premtuan që të përgjigjen shpejt, në mënyrë dërrmuese dhe vendimtare, duke e përdorur forcën e plotë të aleancës, përfshirë armët bërthamore të Shteteve të Bashkuara”- tha presidenti Yoon.

Në anën tjetër, Bideni e përsëriti ofertën për Korenë Veriore për të zhvilluar bisedime rreth programeve të saj bërthamore e të raketave, ofertë që është shpërfillur nga udhëheqësi i këtij shteti, Kim Jong Un.

Programet e Koresë Veriore për zhvillimin e shpejtë të armëve – përfshirë raketat balistike që mund të arrijnë në qytete amerikane, kanë ngritur pyetje për atë nëse Uashingtoni do t’i përdorte vërtet armët e veta bërthamore për ta mbrojtur Korenë Jugore nën atë që e quan “parandalim i zgjeruar”.

Sipas anketave në Korenë Jugore, shumica e njerëzve duan që vendi i tyre t’i zhvillojë bombat e veta bërthamore, hap që Uashingtoni e kundërshton.

Si pjesë e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të dislokojnë një nëndetëse me raketa balistike në Korenë Jugore si shfaqje e forcës. Kjo do të jetë vizita e parë e një nëndetëseje të tillë që nga vitet e tetëdhjeta, thanë zyrtarët amerikanë.

Lajme të ngjashme