ShBA-ja do të dërgojë nëndetëse bërthamore balistike në Korenë e Jugut
Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore, Joe Biden dhe Yon Suk Yeol, të mërkurën do të nënshkruajnë një marrëveshje që përfshin një plan për dërgimin e nëndetëseve amerikane me armë bërthamore në Korenë Jugore për herë të parë në më shumë se 40 vjet, sipas zyrtarëve të lartë të administratës së Bidenit.
Ky veprim do të jetë shfaqje e dukshme e përkrahjes për Seulin pas shqetësimit për kërcënimet bërthamore nga Koreja Veriore, raporton agjencia “Associated Press”.
Vizitat e planifikuara në portet e Koresë Jugore janë element kyç i asaj që po paraqitet si “Deklarata e Uashingtonit”, qëllimi i së cilës është frenimi i Koresë Veriore nga kryerja e ndonjë sulmi ndaj fqinjës së saj. Plani po publikohet në kohën e vizitës së presidentit Yoon në ShBA si dhe në periudhën e shtimit të testimit të raketave balistike nga Koreja Veriore.
Tre zyrtarë të lartë të administratës së Bidenit, të cilët folën me gazetarë në kushte anonimiteti para njoftimit zyrtar, thanë se ndihmësit e dy presidentëve kanë qenë duke punuar me muaj për hollësitë e planit dhe janë pajtuar që shfaqja rastësore dhe shumë e qartë e fuqisë së kapaciteteve të zgjeruara parandaluese të ShBA-së duhet të jenë aspekt thelbësor i marrëveshjes.
Në marrëveshje bëhet thirrje që ushtritë e ShBA-së dhe Koresë Jugore që t’i fuqizojnë ushtrimet e përbashkëta dhe t’i integrojnë më mirë asetet ushtarake të Koresë Jugore në përpjekjen e përbashkët strategjike për parandalim.
Si pjesë e deklaratës, Koreja Jugore do ta ripohojë zotimin e saj ndaj Traktatit të Mospasurimit Bërthamor, marrëveshje e nënshkruar nga disa fuqi të mëdha bërthamore e jobërthamore, të cilat janë zotuar se do të bashkëpunojnë për ta frenuar përhapjen e teknologjisë bërthamore, thanë zyrtarët.
Si kandidat për president vitin e kaluar, Yoon tha se do të bënte thirrje për shtim të dislokimit të bombarduesve, aeroplanmbajtëseve dhe nëndetëseve bërthamore amerikane në Korenë Jugore, përderisa mundohej të ndërtonte një kundërpërgjigje më të ashpër ndaj kërcënimeve të Koresë Veriore se presidenti i kaluar, Moon Jae-in.
