Ish-këshilltari Bolton bën thirrje që ShBA-ja të vendosë armë bërthamore në Kore Jugore
Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare në ShBA, John Bolton, tha të martën se Shtetet e Bashkuara duhet të rivendosin armë bërthamore në Kore Jugore për t’i dërguar një mesazh të qartë Koresë Veriore dhe për t’i zbutur thirrjet në rritje në Kore Jugore që ky shtet t’i zhvillojë armët e veta bërthamore.
Komenti i ish-zyrtarit të lartë erdhi në kohën kur presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, ndodhet në Uashington për të marrë pjesë në një samit me homologun amerikan, Joe Biden. Në këtë samit pritet të diskutohen mënyra për ta përmirësuar besimin në masat parandaluese të ShBA-së kundër sulmeve bërthamore, raporton agjencia “Reuters”.
Përderisa Koreja Veriore po garon për ta përsosur aftësinë e saj për ta goditur ShBA-në me raketa bërthamore, Yoon ballafaqohet me pyetje për varësinë e vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara në fushën e sigurisë. Disa anëtarë të lartë të partisë së presidentit po bëjnë thirrje që Seuli t’i zhvillojë programet e veta bërthamore.
Ish-këshilltari Bolton tha se rivendosja e armëve bërthamore taktike të ShBA-së do të ndihmonte për t’i risiguruar koreanojugorët, duke dërguar në të njëjtën kohë një paralajmërim në Korenë Veriore.
“Kthimi i armëve bërthamore taktike në gadishull do të ishte dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë për ta frenuar Korenë Veriore”- i tha ai agjencisë “Reuters” në margjinat e një forumi të organizuar nga Instituti Asan për Studime Politike në Seul.
“Ridislokimi i armëve taktike nuk e pengon Korenë Jugore që ta sigurojë aftësinë e vet, por kjo mund të na japë ca kohë për të menduar nëse vërtet duam që ta bëjmë atë”- shtoi Boltoni.
Shtetet e Bashkuara kishin dislokuar armë bërthamore taktike në Kore Jugore më 1958 dhe i kishin tërhequr ato më 1991. Uashingtoni është zotuar se do t’i përdorë të gjitha kapacitetet për ta mbrojtur aleatin kyç aziatik.

