Presidenti i Koresë Jugore e befason Bidenin me talentin në këndimin e një hiti amerikan - NACIONALE

Presidenti i Koresë Jugore e befason Bidenin me talentin në këndimin e një hiti amerikan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Temat e diskutimit ishin shumë serioze: mbrojta bërthamore kundër Koresë Veriore, lufta në Ukrainë e tregtia. Megjithatë, presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, vendosi që vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara t’i japë edhe një frymë hareje – këndoi.

Presidenti korean i befasoi homologun amerikan, Joe Biden, dhe shumë njerëz të tjerë që ishin të pranishëm në darkën shtetërore, e cila u organizua për nder të mysafirit. Yeol-i e këndoi hitin amerikan, “American Pie”, të këngëtarit Don McLean, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ne e dimë që kjo është njëra nga këngët e tua të parapëlqyera, American Pie”- i tha Bideni homologut korean, pasi e kishte tërhequr në skenë në fund të darkës për të dëgjuar disa këngëtare duke e kënduar këtë këngë.

“Po, kjo është e vërtetë”- ia ktheu ai, duke thënë se e donte këtë këngë, e publikuar më 1971, që nga koha kur ishte në shkollë.

“Duam që të të dëgjojmë duke e kënduar atë”- i tha Bideni.

“Ka kaluar kohë, por...”- u përgjigj homologu korean, duke bërë rezistencë të vogël dhe duke e kapur mikrofonin.

Porsa filloi të këndonte, Yeol-i i befasoi të pranishmit me zërin e tij dhe mori duartrokitje të fuqishme nga ta.

“Nuk e kisha idenë se ju mund të këndonit”- i tha Bideni, duke shtuar se këngëtari McLean nuk mund të ishte i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë, por kishte dërguar një kitarë të nënshkruar, të cilën Bideni ia dha si dhuratë homologut korean.

Lajme të ngjashme