Protestuesit izraelitë i bllokojnë kamionët me ndihma për Gazën, pakot i hedhin në rrugë
Disa protestues izraelitë bllokuan kamionë me ndihma të destinuara për banorët e Gazës të hënën, duke hedhur pako ushqimore në rrugë e duke hapur thasë me drithë në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Kamionët që ndodheshin në pikën e kontrollit “Tarqumiya”, në perëndim të Hebronit, kishin ardhur nga Jordania dhe ishin nisur drejt Rripit të Gazës, ku dhjetëra mijëra palestinezë ballafaqohen me mungesë ushqimi e ndihmash të tjera, raporton televizioni BBC.
Shtëpia e Bardhë e ka dënuar sulmin, duke e përshkruar “plaçkitjen” e kamionëve me ndihma si “mizori të plotë”.
Grupi që raportohet se qëndron prapa protestës tha se po protestonte kundër mbajtjes së vazhdueshme të pengjeve izraelite në Gaza.
Në pamje të pavërtetuara që u shpërndanë në rrjete sociale u panë protestues duke hequr pako nga kamionët e duke i hedhur ato në tokë e duke iu vërsulur atyre porsa binin në tokë.
Në disa video duket se shfaqen automjete duke iu vënë flaka më vonë në mbrëmje. BBC-ja nuk ka arritur që t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pamjet.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, grupi i aktivistëve “Tzav9” ishte përgjegjës për organizimin e protestës.
Mediat izraelite e përshkruajnë atë si grup djathtist që synon ta ndërpresë dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza përderisa pengjet izraelite të jenë ende duke u mbajtur në enklavë.
Një protestuese i tha agjencisë së lajmeve AFP se ai ishte në pikën e kontrollit të hënën, sepse kishte dëgjuar se kamionë me ndihma ishin “rrugës për në duart e Hamasit, që po mundohet të vrasë ushtarë të tjerë dhe qytetarë të tjerë izraelitë”.
Hana Giat, 33 vjeçe, tha se “asnjë ushqim nuk duhet të shkojë në Gaza” derisa pengjet izraelite të kthehen “të shëndosha dhe gjallë”.
Në një deklaratë të cituar nga gazeta “Jerusalem Post”, grupi “Tzav 9” refuzoi disa prej veprimeve të protestuesve, duke thënë se “aktet e kryera sot nuk janë në vijë me vlerat e lëvizjes sonë”.
Katër protestues, përfshirë një të mitur, u arrestuan gjatë protestës, sipas një deklarate të avokatëve të tyre.
Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan, tha se sjellja e protestuesve ishte “tërësisht dhe plotësisht e papranueshme” dhe se Shtëpia e Bardhë do të ngrejë shqetësime me “nivelin më të lartë të qeverisë izraelite”.