Probleme për Suedinë, raportohet se Hungaria ia ka shtyrë votimin për anëtarësim në NATO - NACIONALE

Probleme për Suedinë, raportohet se Hungaria ia ka shtyrë votimin për anëtarësim në NATO

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një komisioni i Kuvendit të Hungarisë ka refuzuar një propozim për caktimin e votimit të ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO për javën e ardhshme, tha të enjten një deputete e opozitës hungareze.

Pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura të këtij komisioni, deputetja Agnes Vadai i tha agjencisë “Reuters” se deputetët e partisë në pushtet të kryeministrit Viktor Orban, Fidesz, dhe partitë social-demokrate në panel nuk e kanë përkrahur vendosjen e votimit në agjendën e seancës plenare të javës së ardhshme.

Suedia synon që të anëtarësohet në NATO para samitit që mbahet më 11 dhe 12 korrik në Lituani dhe, ndonëse ka përkrahje të fuqishme nga shumë aleatë, Turqia dhe Hungaria deri më tani e kanë bllokuar anëtarësimin e saj në aleancën e fuqishme ushtarake.

“Komisioni i Dhomës ka refuzuar që të vendoset votimin në agjendë për javën e ardhshme”- tha deputetja Vadai, duke shtuar se partia e saj përsëri do të propozojë që votimi të bëhet të hënën në një seancë të plotë të kuvendit.

Ajo tha se ishte e qartë se partia e kryeministrit Orban do të vendoste se për çfarë kohe do të caktohet votimi, varësisht nga qëndrimi i Turqisë.

“Viktor Orbani lëviz në tandem me Erdoganin... duke e shpërfillur sovranitetin hungarez dhe... duke e thyer unitetin e NATO-s. Siç qëndron puna sot, nuk do të ketë ratifikim para samitit të NATO-s”- shtoi deputetja e opozitës hungareze.

Zyra për shtyp e Kuvendit të Hungarisë tha se agjenda për seancën e javës së ardhshme do të publikohej më vonë të enjten. Një zëdhënës qeveritar dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjeve të agjencisë “Reuters”.

Kryeministri Orban i ka akuzuar Suedinë dhe Finlandën për përhapje të “rrenave të plota” për shëndetin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit në Hungari, edhe pse ligjvënësit hungarezë e miratuan anëtarësimin e Finlandës në NATO në fund të marsit.

Të mërkurën, një zyrtar perëndimor i tha agjencisë “Reuters” se aleatët e NATO-s i kanë përshpejtuar përpjekjet për ta bindur Turqinë që ta tërheqë kundërshtimin e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë, por nuk është e qartë nëse ata do të shënojnë sukses para samitit që do të mbahet pas dy javëve në Lituani.

Lajme të ngjashme