Erdogani thotë se Turqia ka lidhje të veçantë me Putinin, i jep përgjigje negative Suedisë për NATO-n
Turqia ka një lidhje të veçantë dhe në rritje me presidentin rus, Vladimir Putin, pavarësisht nga shtimi i presionit ndaj Ankarasë për ta ndihmuar fuqizimin e sanksioneve kundër Moskës, tha presidenti turk, Rexhep Erdogan, në një intervistë për televizionin amerikan, CNN, para balotazhit të javës së ardhshme.
“Ne nuk jemi në një pikë ku do t’i vendosnim sanksione Rusisë siç ka bërë Perëndimi. Nuk jemi të detyruar nga sanksionet e Perëndimit”- tha presidenti turk para gazetares Becky Anderson. “Ne jemi shtet i fuqishëm dhe kemi marrëdhënie pozitive me Rusinë”- shtoi ai.
“Rusia dhe Turqia kanë nevojë për njëra-tjetrën në secilën fushë të mundshme”- tha më tutje presidenti turk.
Sa i përket marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB-ja për eksportimin e drithit ukrainas nëpër Detin e Zi, Erdogani tha: “Kjo ishte e mundshme për shkak të marrëdhënies sonë të veçantë me presidentin Putin.”
Presidenti turk foli edhe për bllokimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO nga vendi i tij. “Për aq gjatë sa Suedia vazhdon që t’i lejojë degëzimet e grupeve të terrorit në Turqi që të enden të lira në Suedi, në rrugët e Stokholmit, ne nuk mund ta shikojnë në mënyrë të favorshme anëtarësimin e Suedisë në NATO”- tha ai.
“Nuk jemi gati për Suedinë tash për tash, sepse një vend i NATO-s duhet të ketë qëndrim të fuqishëm, kur bëhet fjalë për luftimin e terrorizmit”- shtoi presidenti turk.
Suedia i ka refuzuar kërkesat e Turqisë për ekstradimin e individëve që Ankaraja i përshkruan si terroristë, duke argumentuar se kjo çështje mund të vendoset vetëm nga gjykatat suedeze.
