Suedia jep leje për protestën me djegie të Kuranit para xhamisë ditën e Bajramit
Autoritetet suedeze kanë dhënë leje për mbajtjen e një proteste me djegie të Kuranit pranë një xhamie në qendër të Stokholmit të mërkurën, pikërisht në ditën e Bajramit të Kurbanit, njëra ndër festat më të rëndësishme për myslimanët.
Vendimi për të lejuar një protestë të tillë nxitëse mund t'ia rrezikojë gjasat Suedisë për anëtarësim në NATO për shkak të ankesave të Turqisë, raporton televizioni CNN
Zyrtarët e NATO-s po bëjnë garë me kohën për ta shmangur turpërimin që aleanca të dështojë për ta përmbushur synimin e anëtarësimit të Suedisë deri në samitin e 11 korrikut në Lituani. Zyrtarët kanë frikë se dështimi për ta arritur këtë objektiv do t'u dërgonte mesazh turpërues dhe potencialisht të rrezikshëm armiqve të aleancës.
Turqia, anëtare e rëndësishme e NATO-s për shkak të shtrirjes gjeografike dhe shteti me fuqintë e dytë më të madhe ushtarake në aleancë, është pengesa më e madhe për anëtarësimin e Suedisë.
Më herët këtë vit, marrëdhëniet mes Suedisë dhe Turqisë pësuan një goditje të madhe pas një proteste para ambasadës turke në Stokholm, ku një politikan kundër emigrantëve i vuri flakën një kopjeje të Kuranit.
Incidenti nxiti zemërim në Ankara, ku protestuesit dolën rrugëve dhe e dogjën flamurin suedez para ambasadës së Suedisë në Turqi si kundërpërgjigje.
Ministri i atëhershmë i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, raportohet se e kishte fajësuar qeverinë suedeze, duke thënë se ajo e kishte lejuar zhvillimin e "këtij akti të ulët", sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, "Anadolu".
