Erdogani ia “trash zullumin” Suedisë për NATO-n, kërkon që të ndalen protestat anti-turke
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të mërkurën se Suedia nuk duhet të presë ndonjë ndryshim të qasjes së Ankarasë për anëtarësimin e saj në NATO gjatë samitit të aleancës në korrik, nëse nuk i parandalon protestat anti-turke në Stokholm.
Turqia nuk mund t’i qaset aplikimit të Suedisë pozitivisht, përderisa “terroristët” protestojnë në Stokholm dhe pozicioni i Turqisë do të bëhet i qartë edhe një herë në bisedimet me zyrtarët suedezë në Ankara të mërkurën, citohet t’u ketë thënë gazetarëve Erdogani gjatë kthimit me aeroplan nga Azerbajxhani të martën, raporton agjencia "Reuters".
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO vitin e kaluar, pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Turqia kishte paraqitur ankesa edhe ndaj Finlandës, por më vonë e miratoi aplikimin e saj dhe sot ky shtet është pjesë e aleancës.
Prokurorët suedezë të premten ngritën aktakuzë ndaj një burri nën dyshim për krime me armë dhe grumbullim të të hollave për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila filloi kryengritje të armatosur ndaj shtetit turk më 1984. Lëvizja e organeve suedeze të drejtësisë mund t’i kënaqë autoritet turke pak javë para samitit të NATO-s.
Ky rast po ngrihet në kohën kur Turqia po e mban pezull aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, pjesërisht për shkak të akuzave të Ankarasë se Stokholmi strehon përkrahës të grupeve militante të cilat Turqia i konsideron si terroriste.
Vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë miratuar ende aplikimin e Suedisë në NATO. Finlanda, e cila ishte bllokuar nga Turqia fillimisht, u bë pjesë e aleancës në prill.
