Suedia “përkulet” para kërkesave të Turqisë, ngre aktakuzë kundër një personi të dyshuar për financim të PKK-së - NACIONALE

Suedia “përkulet” para kërkesave të Turqisë, ngre aktakuzë kundër një personi të dyshuar për financim të PKK-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokurorët suedezë të premten ngritën aktakuzë ndaj një burri nën dyshim për krime me armë dhe grumbullim të të hollave për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila filloi kryengritje të armatosur ndaj shtetit turk më 1984.

Sipas prokurorëve, ky është rasti i parë që dikush ngarkohet në Suedi me akuzën për ofrimin e financave për PKK-në, e cila cilësohet si organizatë terroriste nga Turqia, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia “Reuters”.

Ngritja e kësaj aktakuze po bëhet në një periudhë të ndjeshme të marrëdhënieve mes Suedisë dhe Turqisë.

“Hetimi ka dhënë mbështetje për dyshimin se burri ishte duke vepruar në emër të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit”- tha prokuroria në një deklaratë.

Në njoftim thuhet se autoritetet do të paraqesin akuza kundër burrit në të dyzetat, sepse ai dyshohet për zhvatje të rëndë, krim serioz me armë dhe tentim për financim të terrorizmit.

Ky rast po ngrihet në kohën kur Turqia po e mban pezull aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, pjesërisht për shkak të akuzave të Ankarasë se Stokholmi strehon përkrahës të grupeve militante të cilat Turqia i konsideron si terroriste.

Bisedimet mes dy vendeve për pranimin e Suedisë në NATO pritet të fillojnë javën e ardhshme. Suedia, e cila aplikoi vitin e kaluar për anëtarësim në NATO, pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, dëshiron që aplikimi i saj të ratifikohet para samitit të ardhshëm të aleancës, i cili do të mbahet në korrik.

Vetëm Turqia dhe Hungaria nuk e kanë miratuar ende aplikimin e Suedisë në NATO. Finlanda, e cila ishte bllokuar nga Turqia fillimisht, u bë pjesë e aleancës në prill.

Lajme të ngjashme