Prekëse: 13-vjeçari armen voziti disa ditë për ta larguar familjen nga Karabaku, qan për biçikletën - NACIONALE

Prekëse: 13-vjeçari armen voziti disa ditë për ta larguar familjen nga Karabaku, qan për biçikletën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gor Khachatrian, 13 vjeç, e voziti veturën e babait disa ditë për t’u larguar bashkë me shtatë anëtarë të tjerë të familjes nga Nagorno-Karabaku për në Armeni gjatë eksodit masiv në rajon.

Përderisa babai i tij ndodhej larg familjes gjatë luftimeve, të afërmit e tij thonë se adoleshenti i njomë ishte shpresa e vetme për të arritur në Armeni. Udhëtimi i vështirë zgjati gati tri ditë pas largimit të familjes nga fshati Khnapat, ku la pothuajse gjithçka, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

“Vozita këtu, nga Nagorno-Karabaku, në këtë veturë. Fjeta në ulësen e shoferit. Kurdo që na duhej të ndaleshim, unë pushoja, pastaj fillonim të lëviznim përsëri”- tha adoleshenti.

“Këto gjëra u përkasin fëmijëve. Nuk morën shumë gjëra me vete. Kjo është e gjyshërve të mi, ato janë rrobat tona dhe atje është një batanije për fëmijë”- shtoi ai, duke i treguar me dorë gjësendet në bagazhin e një veture.

Khachatriani ishte i detyruar që të voziste nëpër rrugë malore e nëpër kolona të gjata të veturave.

“Isha pak i frikësuar. Pastaj, i thashë vetes: çfarëdo që ndodh, do të ndodhë. Natyrisht, do ta kisha fajësuar veten, nëse nuk do të mund ta nxirrja familjen, por përfundoi mirë dhe erdhëm këtu me sukses”- shtoi i riu armen, duke i pikuar lotët. “Nuk kisha vozitur veturë kaq larg në jetën time. Kjo ishte hera e parë”- tha më tej ai.

Nga vitet e nëntëdhjeta, Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra për Nagorno-Karabakun. Azerbajxhani e rishpalli kontrollin në këtë rajon pas një ofensive ushtarake më 19 shtator.

Sipas zyrtarëve në Jerevan, dhjetëra mijëra armenë etnikë janë larguar nga rajoni. Nëna e adoleshentit thotë se familja nuk kishte tjetër opsion.

“Burri im ishte larg, në një pozicion ushtarak. Na nevojitej dikush për të na nxjerrë nga fshati. Rusët (trupat paqeruajtëse) na thanë që të shkonim e të qëndronim në bazën e tyre. Djali im na mori të gjithëve nga fshati. Jo vetëm familjen tonë, por edhe dy familje fqinje. Të gjithë u futëm në veturë. Isha e befasuar me aftësinë e tij për ta bërë këtë (vozitje) në moshë kaq të re”- tha zonja Nurvard Khachatrian.

Megjithatë, të birit të saj diçka i ka mbetur pikë dhe për këtë tregoi me lot në sy. “Para disa muajve, babai më bleu një biçikletë. Nuk munda ta shijoj vozitjen e saj plotësisht. Lamë gjithçka atje dhe erdhëm këtu. Babai na bleu një rrobalarëse, e lamë edhe atë atje dhe nuk mund ta marrim”- tha Gori.

Ai e përfundoi rishtazi klasën e nëntë. Tani refugjat në Armeni, ai thotë se dëshiron që të fitojë para për ta ndihmuar familjen.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme